Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 10:26

Prishtinë – Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, zv/ kryeministrja Edita Tahiri priti përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, që merren me çështjet e Ballkanit (COËEB). Tahiri, si drejtuese e dialogut teknik nga pala e Republikës së Kosovës, i informoi ata mbi zhvillimet në raundin e dytë të dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e qeverisë, Tahiri vlerësoi se në raundin e dytë ka vazhduar fryma konstruktive e dialogimit dhe janë shënuar disa arritje, sidomos për regjistrat civil të cilat i janë marrë Kosovës në kohën e luftës dhe për dokumentacionin kadastral, që i duhet kthyer Kosovës nga Serbia, trajtimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e telekomunikacionit dhe energjetikës. Ajo shtoi se është hapur shkurtimisht edhe çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Zv/ kryeministrja Tahiri siguroi përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së se Kosova do të vazhdojë ta trajtoje çështjen e dialogut teknik me seriozitet. “Pala e Kosovës do të jetë konstruktive drejt gjetjes së zgjidhjeve”, tha Tahiri, duke shtuar se “ky dialog do të mbetet në suazat e parapara të karakterit teknik, pasi çështja e statusit të Kosovës është kapitull i mbyllur”.

“Sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm shtetëror i Republikës së Kosovës janë çështje sovrane të Republikës së Kosovës, e cila tashmë është njohur nga shumë vende dhe Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi ka konfirmuar legalilizimin e pavarësisë së Kosovës”, tha ajo.

Tahiri shtoi se në takimin me Baroneshën Ashton kërkoi më shumë qartësi rreth përfitimeve të Kosovës drejtë integrimit evropian, duke shtuar se kërkesë parësore është liberalizimi i vizave, hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, duke nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim dhe përshpejtimin e marrjes së statusit të kandidatit.

Zv/kryeministrja Tahiri u takua edhe me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për dialogun teknik të filluar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Lunaçek ka thënë se vendet e BE-së e përkrahin dialogun teknik të nisur dhe se ky është një hap shumë pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve në rajon dhe se nga ky dialog do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve si dhe të dyja vendet do të afrohen më shumë me BE-në.

Njoftohet se zv/kryeministrja Edita Tahiri u prit në selinë e NATO-s në Bruksel nga Michel Soula, zv/ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili u shpreh se “NATO mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në planin e sigurisë dhe të rrugës së Kosovës drejt integrimit në NATO”.

Më pas zv/kryeministrja Tahiri u prit nga Ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Shqipëri.

Zyra e shtypit e qeverisë kosovare ka njoftuar se në vazhdim të qëndrimit në Bruksel, zv/kryeministrja Tahiri u takua me Ambasadorin e Greqisë pranë BE-së z. Sotiropoulos Theodoros, ku u bisedua për avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë.