Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 16:59

Prishtinë – Z/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti sot komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler, me të cilin bisedoi për situatën politike dhe të sigurisë në vend, me theks të veçantë për zhvillimet pozitive në vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit në pjesën veriore të vendit.

Tahiri çmoi lart angazhimin e KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin në gjithë vendin si dhe bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it për konsolidimin e sovranitetit dhe ligjit në veri të vendit.

Në takim u vlerësua i drejtë angazhimi i Qeverisë për vënien e kontrollit në kufirin verior dhe pikat doganore 1 dhe 31, duke potencuar se është e drejtë sovrane e qeverisë për të vënë kontroll dhe rend në tërë territorin, duke rritur sigurinë për qytetarët dhe eliminuar strukturat paralele, veprimtaritë kriminale dhe kontrabanduese në veri të vendit.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it vlerësoi stabile situatën e përgjithshme në Kosovë, duke theksuar se KFOR-i angazhohet fuqishëm për sigurinë e vendit.

Në takim po ashtu u theksua rëndësia e përballjes me drejtësinë e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin dhe rendin në zhvillimet e periudhës së fundit, përfshirë zbulimin e vrasësve të Policit të Kosovës, heroit Enver Zymberi.