Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 08:20

Prishtinë – Zv/ kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, gjatë qëndrimit në Kanada, u prit nga zv/ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, Morris Rosenberg, me të cilin bisedoi për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe dialogun teknik dhe marrëveshjet e para të arritura në Bruksel.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare,  zv/ministri i Jashtëm, Rosenberg, siguroi përkrahjen e fuqishme të qeverisë kanadeze për Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejshëm dhe ofroi mbështetje për perspektivën euroatlantike dhe integrimin e plotë në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Rosenberg shprehu përkrahje për dialogun teknik dhe arritjet konkrete si dhe interesimin e veçantë për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Zv/kryeministrja Tahiri falënderoi për përkrahjen që ka dhënë Kanadaja për proceset historike të Kosovës në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci si dhe duke njohur shpejt shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Tahiri u angazhua për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke kërkuar mbështetje për njohjet e reja si dhe ftoi Kanadanë për investime në Kosovë.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e Kosovës për t’i qëndruar besnike parimeve euroatlantike, në interes të Kosovës dhe rajonit, duke riafirmuar se pavarësia e Kosovës u dëshmua si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Po ashtu, u pajtuan për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, në veçanti në planin diplomatik dhe ekonomik.