Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 17:49

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, po merr pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Institutit Aspen nga Berlini të organizuar bashkë me Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, në Budvë.

Temë qendrore e konferencës është bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor në aspektet politike, ekonomike dhe sigurisë, ku pjesëmarrës janë qeveritarë, politikanë dhe ekspertë nga vendet e rajonit dhe nga Gjermania, SHBA, Austria etj

Në fjalën e saj, Tahiri ndër tjerash theksoi se progresi në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor është i lidhur ngusht me progresin në marrëdhëniet ndërfqinjësore mes vendeve dhe progresin në integrimin në Bashkimin Evropian.

“Çështjet e hapura në rajon janë më tepër të lidhura me raportet fqinjësore mes vendeve dhe të kuptuarit e qartë se fqinjësia e mirë mes shteteve ndërtohet përmes bashkëpunimit dhe ndërprerjes së praktikave të ndërhyrjes te njëra tjetra, që janë kushte themelore në raportet bilaterale”, ka thënë Tahiri.

Ajo përmendi shembullin e dialogut të Brukselit si një proces që po ndihmon për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal, mirëpo potencoi se zbatimi i marrëveshjeve nënkupton ndaljen e ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë dhe jo vazhdimin e saj përmes strukturave paralele komunale.

“Serbia në një anë thotë se po zbaton marrëveshjet e Brukselit dhe në anën tjetër vazhdon të përkrah strukturat paralele komunale në Kosovë”, theksoi Tahiri. Ajo po ashtu kërkoi që Bashkimi Evropian të njeh rezultatet e Kosovës në Dialogun e Brukselit dhe të vendos sa më parë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Kosovën dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministrja Tahiri po ashtu theksoi se procesi i Berlinit është bërë një faktor i rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal në planin ekonomik dhe infrastrukturor, duke marrë parasysh nevojat prioritare për zhvillim ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës në gjithë vendet e rajonit.

Gjatë punimeve të kësaj konference, ministrja Edita Tahiri zhvilloi takime bilaterale me përfaqësuesin e Qeverisë gjermane Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe vendet e EFTA-s, Drejtor për Ballkanin dhe me përfaqësuesin e Qeverisë amerikane, Jan Campbell, Zëvendësdrejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të shtetit.

Në këto takime, ajo kërkoi përkrahje për shpejtimin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe rritjen e njohjeve.