Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 16:40

TIRANE- Kryesocialisti Edi Rama ka mbajtur sot një konferencë për shtyp ku ka ‘dënuar’ vendimin e Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm 2 të pandehurit e ngjarjeve të 21 janarit.

Rama tha se sot për këtë ngjarje nuk u mor vendim, pasi sic shtoi ai drejtësia nuk vihet në vend me vendime të padrejta.

“Kryeministri i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj që e pushkatojnë drejtësinë në publik njësoj si garda 4 dëshmorët e 21 janarit. Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë atij që pas 23 qershorit do jetë thjesht kryetari i Partisë Demokratike. Sot nuk pati gjykim por vetëm një përfaqësim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të 4 protestuesve. Edhe pse ishte krimi më barbar në Shqipëri pas komunizmit, vendimi i sotëm është më barbari”, tha Rama.

Sipas tij, “Familjet e 4 dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot përfundimin e një gjyqi që në të vërtetë ende nuk ka filluar. Siguroj se 21 janari është nga ato ngjarje që nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe nuk mbyllen me gjykim të padrejtës”, shtoi ai.

Ai tha më tej se, “Pas 23 qershorit, do të nisë një proces publik për kreun e PD”.Sipas Ramës, mos dënimi i të pandehurve është një turp për të gjithë shoqërinë.

“Ky i sotmi nuk është turp nga vrasësit e drejtësisë, ky është një turp për shoqeërinë tonë, është përgjegjësia jonë historike si shoqëri. Përgjegjësi që duhet ta ndjejë cdo prind, cdo i ri dhe e re në këtë vend, cdo socialist apo demokrat që ka respekt për veten”, tha ai.

Rama shtoi se sot, “Cdo mik ndërkombëtar që u angazhua për 21 janarin, besoj se ndjehet më afër një shteti ku ligjet nuk vlejnë asnjë grosh dhe kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin”, shtoi ai.(LajmeShqip.com)