Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 00:51

Nga Edi Rama

www.edirama.al

Zor të gjesh sado të gërmosh në historinë e shteteve që meritojnë të quhen të tillë, një shfaqje të turpshme të mungesës edhe formale të shtetit si ajo e 2 marsit të djeshëm në Lezhë. Kremtohet Besëlidhja e famshme e Skënderbeut dhe shteti shqiptar i pesë shekujve e gjysëm më vonë shfaqet para varrit të Heroit Kombëtar si shëmbëlltyra më e zhgarravitur e vetvetes.

Në asnjë fshat sado të prapambetur të Shqipërisë, ku vlera e një ngjarjeje të kujtuar bashkarisht në vite bashkon edhe hasmit në ritualin përkujtimor, s’mund të ndodhte ajo që ndodhi me shtetin shqiptar bash në vitin e pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë të kremtimit të një dite të shënuar fort ku u mboll fara e bashkimit të shqiptarëve për lirinë e tyre si komb. Një shtet i qesharakëzuar deri në dhimbje u shfaq si një trup pa kokë për të nderuar heroin e vet më të madh dhe foli me gojën e përçartur të një prijësi delirant që pas vetes kishte vetëm partinë e tij, një gjysëm edhe ajo e çarë e trupit të Shqipërisë që rreket me pahir të mishërojë krejt Shqipërinë. Koka e shtetit u pre një natë më parë që Shqipëria të mos fliste para varrit të Heroit Kombëtar me gjuhën e unitetit kombëtar, të cilin Kushtetuta e Republikës së sotme shqiptare e përcakton qartësisht të shprehur përmes figurës së Presidentit të Republikës.

Gjakimi për pushtetin dhe era e gjakut që po vlon brenda trupit të çarë të Partisë Demokratike, e kanë çakërdisur kreun e qeverisë shqiptare deri në pikën sa të mos bëjë më dot asnjë dallim qoftë edhe formal mes vetes e shteti, po ta shohë shtetin vetëm si një zgjatim atavik të vetes. Ashtu siç në fakt është katandisur shteti shqiptar, një grumbull ndërtesash ku turma e ndjekësve të tij janë strehuar si në kështjellën e pushtuar të Krujës për të ndarë paratë e rrogave, për të mësyrë pronat e pasuritë e banorëve anepërqark, për të shkelur liri e të drejta dhe mbledhur bakshishe nga çdo hallexhi që kërkon të heqë shqelmin e shtetit prej fyti për të marrë pak frymë. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë u shfaq dje para varrit të Heroit Kombëtar si një sulltan ngadhnjimtar me kokën e prerë të Presidentit të Republikës ngulur mbi shtizën e flamurit të Besëthyerjes, pasi e flaku një natë më parë figurën e unitetit kombëtar në kanalin e ujërave të pistë që rrjedhin mes plehrave vetëm pak metra nga Përmendorja ku ndodhet varri i shenjtë.

Me sytë që nuk fshihnin dot tërbimin e brendshëm dhe gojën që nuk përmbante dot përpjekjen për t’u njësuar përçart me vetë Skënderbeun, ai e mbajti fjalimin që nuk i takonte as me zakon, as me Kushtetutë, as me protokoll shtetëror, duke e njollosur 2 marsin me gjakun e çarjes së Partisë Demokratike. Foli si një përçarës e sundues duke përdhunuar vlerën kombëtare të asaj ngjarjeje historike dhe duke mos ngurruar ta kthejë edhe varrin e Skënderbeut në skenën e shfaqjes së përditshme mediatike ku është ai edhe vetëm ai që flet, përflet, stërflet, në emër të historisë e të lirisë e të çdo gjëje që i vjen ngoje. Oborrtarët përreth bënë si përditë sfondin memec të ritualit bajat, duke pritur përfundimin e shfaqjes për t’u rikthyer në kështjellën e pushtuar të shtetit dhe rifilluar me qokat, bakshishet, plaçkitjet e gostitë që i mbajnë lidhur me sulltan Saliun në këmbim të të gjitha fijeve të dinjitetit njerëzor, të cilat i kanë lënë kapar në duart e tij.

E tërë kjo ëndërr e pështirë otomane u zhvillua para syve të shqiptarëve në ditën për diell të Shqipërisë së shekullit XXI, të Shqipërisë në NATO, të Shqipërisë që troket në dyert e Bashkimit Europian. Në dyert që mbeten të mbyllura prej tre vjetësh jo sepse, siç thotë kryeministri ka një opozitë që i pengon të hapen, po sepse ka një shtet të rënë gërrmuq nën shalën e sulltanit të sotëm të Shqipërisë që nuk ka as përmbajtje e as formë për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian. Një shtet që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, po përkundrazi turret si ushtri jeniçerësh për t’i vjedhur zgjedhjet. Një shtet që nuk lufton dot krimin e korrupsionin, po përkundrazi turret me batalione xhebelunjsh, dallkëllëçësh e serdengjeshtlerësh për të vrarë, therur, djegur, përdhunuar e plaçkitur në mes të ditës. Një shtet që nuk garanton dot drejtësi, po përkundrazi lëshohet mbi qytetarët me hordhitë e gjykatësve kadilerë dhe taksidarëve xhelepqarë për t’i dhunuar e rrjepur në emër të Sheriatit.

Se pse Bashkimi Europian nuk mund të pranojë në tryezë një karikaturë të tillë të shtetit kjo është e qartë për këdo që lexon me radhë 12 rekomandimet e Komisionit Europian dhe jo fermanët e përditshëm të Portës së Kryeministrisë kundër opozitës. Po se si ata shqiptarë që dëgjojnë symbyllur muzikën me një tel të propagandës së Sulltan Saliut vazhdojnë të mjaftohen me fajësimin e opozitës, kjo mbetet një problem serioz për t’u zgjidhur në kushtet kur një luzmë e tërë ahengxhinjsh të oborrit u bien daulleve të shiut e të breshërit për të shurdhuar të vërtetat e dala lakuriq në sytë e të gjithëve.

Megjithëse, në fakt, edhe ceremonia e djeshme tregoi se radhët e hosanaxhinjve të sulltanit s’janë më të shtrënguara si më parë dhe ka plot ndër ta, demokratë të ndërgjegjësuar apo thjesht shqiptarë më në fund syhapur, që po e braktisin turmën e ndjekësve pa kushte të kryeministrit duke kërkuar në të tjera drejtime realizimin e ambicieve e aspiratave të tyre për një Shqipëri demokratike. Edhe trupi pa kokë i shtetit shqiptar në atë ceremoni, edhe një turmë që disa qindra metra më tutje kërkonte njësimin me Heroin Gjergj për t’u shkëputur nga Tradhtari Sali, janë prova e fillimit të shthurjes së radhëve të Partisë Demokratike. Megjithatë, një gjë është e sigurtë: As ata që po ikin e do të ikin për të ndjekur pas Presidentin e flakur të Republikës, as ata që kanë zgjedhur të zëvendësojnë flamurin bardheblu të Partisë Demokratike me kuqezinë e flamurit kombëtar, nuk mund të sjellin një Rilindje Shqiptare po në rastin më të mirë vetëm të krijojnë kushtet për lindjen e një të djathte të re shqiptare.

Sigurisht është herët për të folur se si mund të jetë një e djathtë bashkëfajtorësh në vite, madje deri shumë vonë, me dhunuesin e përçarësin e sotëm të Shqipërisë. Por padyshim mund të thuhet qysh sot se një e djathtë që lind nga heshtja e gjatë e jo nga përpjekja e mundimshme djathtas, apo që mbështjell kuqezi anakronizma nacionalpopuliste e mllefe të vjetra vetjake, është larg së qeni e djathta europiane që i nevojitet dëshpërimisht shqiptarëve me zemrën djathtas.

Sidoqoftë nuk është problemi ynë se si do të ngjallet e djathta nga varri ku e ka kyçur sekretari i zellshëm i Enver Hoxhës. Vetë Shqipërisë më shumë se sa çdo të ndodhë me copat e ndara të trupit të rrëgjuar të Partisë Demokratike, i duhet si drita e diellit një Rilindje Shqiptare. Për të cilën ne socialistët e progresistët, bashkë me partnerët tanë të majtë e të djathtë të Aleancës për të Ardhmen, jemi gati të nënshkruajmë një kontratë qeverisëse me çdo shqiptar. Me një program të ri për ndryshimin radikal që do të sjellë rivendosjen e demokracisë, rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë dhe ribashkimin me Europën. Me një ekip të aftë për përballimin e sfidave të ndryshimit, mishërim i një reflektimi serioz ndaj gabimeve të së shkuarës dhe përgjegjësie për të ardhmen. Me një lidership të vetëdijshëm për nevojën e mbylljes së kapitullit të stërgjatë të përçarjes mes shqiptarëve. Me çdo shqiptar të gatshëm për t’u bërë zot i fatit të tij në një Besëlidhje të Re Shqiptare.