Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 08:00

Gazetat e pushtetit rendën të publikojnë me të madhe një gënjeshtër të stisur përmes presionit të dinjitarëve të PD-së mbi një ish – të burgosur politik. Dod Miri nga Gurëzi i Laçit me 22 vjet burg e 11 të pushkatuar në familje, më çoi një mesazh ku më shprehte kënaqësinë për propozimin e PS për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë e shtonte se, pas shumë vitesh zhgënjime, do të mbështesë Partinë Socialiste.

Unë e lexova mesazhin e tij në një takim me të rinjtë dhe për rrjedhojë ai moment u transmetua nëpër televizione. Fare pak ditë më pas Dod Miri në një ekran të pushtetit e mohoi të më kishte çuar mesazh! Deklarata e tij natyrshëm u përcoll të nesërmen në gazetat e atyre që në fakt e kishin detyruar plakun e shkretë të mohonte veten, duke e kërcënuar se do t’u qepeshin pas njerëzve të familjes së tij e do u hiqnin bukën e gojës duke i flakur nga puna.

Nuk kam asgjë me të dhe nuk e gjykova keq kur mësova për dëshminë e tij të rreme. Sepse e kuptova që duhet t’i kishte ndodhur pikërisht ajo që më pas i mbushur plot sekëlldi, e tregoi vetë me gojën e tij, duke renditur edhe një tabor emrash të njohur e të panjohur, që i ishin dyndur në derën e shtëpisë për t’i bërë presion. E kam sigurisht me ata e ato që bënë këtë veprim të ulët, e padyshim edhe me atë që i nisi plumb pushke në shtëpinë e të përndjekurit politik, për ta shtrënguar deri në marrjen e një dëshmie të rreme.

Ku ndryshojnë persekutorët e rinj të Dod Mirit nga ata të vjetrit që përdornin gjuhën e kërcënimit, për të kërryer dëshmira të rreme në luftën e tyre barbare me armikun e brendshëm? Askund nuk ndryshojnë! Ndryshon vetëm kjo kohë nga ajo dhe ky sistem nga ai sistem. Kurse këta, janë po ata të dikurshmit në mendësinë e tyre e në sjelljen primitive ndaj kundërshtarit politik.

Kanë kaluar 22 vjet qysh se ka rënë regjimi që të pushkatonte me dëshmira të rreme, por 22 vjet më vonë, pikërisht partia që lindi si pjella e një kohe të re, pa shtrëngime politike të njeriut, është bartësja e kohës së vjetër të atyre shtrëngimeve të neveritshme. Nuk pushkaton e as burgos dot politikisht askënd, sepse ka ndryshuar sistemi, por qëllon mbi kundërshtarët politikë me të njëjtën urrejtje e burgos përditë psikologjikisht njerëz të zakonshëm, me të njëjtën djallëzi të sistemit që nuk është më.

Madje, nëse Partia e Enver Hoxhës e kishte të shpallur botërisht në ideologjinë e vet dhe e kishte sanksionuar në Kushtetutën e këtij vendi diktaturën e ashtuquajtur të proletariatit, Partia e Sali Berishës, tjetër shkruan në programin e saj e thotë përditë para shqiptarëve dhe krejt tjetër bën me të tërë ata që vuajnë presionin e hakmarrjen e saj, vetëm sepse thjesht nuk janë me të.

E kjo e bën edhe më të ulët rolin e ulët, që ajo po luan në qeverisjen e këtij vendi, duke bërë presione nga të katër anët mbi njerëzit përmes shpërdorimit të fuqisë së shtetit. Kjo dihet nga të gjithë, po edhe shumë prej atyre që kanë detyrimin publik ta thonë, pa qenë doemos të rreshtuar me opozitën politike, bëjnë sikur nuk e dinë dhe flasin sikur jetojmë në një vend ku hajt më, të gjithë njësoj janë, kështu që presionet e pushtetit janë pjesë e lojës!

Bëjnë sikur nuk e dinë fatkeqësisht as edhe vetë shumë prej të përndjekurve politikë të Partisë së Enver Hoxhës, të cilët edhe pas 22 vjetësh e 22 mijë faktesh, provash, arsyesh, vazhdojnë të pozicionohen e të flasin në favor të Partisë së Sali Berishës, duke e konsideruar atë si parti të demokracisë, ndërsa Partinë Socialiste si parti të diktaturës. Nuk ka absolutisht asnjë problem që të mos jenë dakord me Partinë Socialiste, të mos besojnë në vlerat e idetë e majta, të mos i pëlqejnë as programin e as përfaqësuesit socialistë. Por ka pa mëdyshje një problem të madh kur s’duan e s’duan të hapin sytë përpara tradhtive të Partisë së Sali Berishës ndaj interesave të vendit, të së djathtës e të vetë shtresës së tyre.

Si mund të mbyllen sytë përpara asaj që ndodhi me Dod Mirin? Si mund të mbyllen sytë përpara asaj që ndodh përditë me vendin tonë, i cili po grabitet përditë e po zhytet në krizë të gjithanshme? Si mund të mbyllen sytë përpara faktit se ajo parti të cilës i kanë dhënë besimin e votën 22 vjet rresht, ka 22 vjet që u premton dëmshpërblim moral e financiar për vuajtjet e pafundme nën regjimin barbar të Enver Hoxhës, dhe prej 22 vjetësh nuk bën as një të njëqindtën e atyre që premton?

E ç’rëndësi ka për të gjithë ata ish – të përndjekur që nuk besojnë tek Partia Socialiste, se çfarë arsyesh ka Partia Socialiste për të propozuar publikisht që dëmshpërblimi i plotë për shtresën e tyre të fillojë nga 70 vjeç për gratë e 75 vjeç për burrat dhe jo nga 85 vjeç e lart siç do Sali Berisha? Rëndësi këtu ka vetëm fakti që pse nuk e bën kryeministri atë që Partia Socialiste vetëm e thotë, sepse sot në opozitë ne nuk mund të bëjmë më shumë se sa thjesht të themi çfarë duhet bërë. E në vend se të hapin sytë e veshët dhe të mbrojnë bashkarisht interesin e tyre të drejtpërdrejtë, siç bën çdo grup interesi në një shoqëri demokratike, duke i kërkuar qeverisë atë që u takon, bëjnë atë që nuk u takon. Justifikojnë tradhtinë e qeverisë ndaj tyre e të gjitha sjelljet antidemokratike të saj ndaj njerëzve të zakonshëm, duke u rreshtuar në frontin e zëdhënësve të qeverisë për të sharë opozitën, ndërkohë që në pushtet është qeveria “e tyre”.

Për ne socialistët, kjo e të përndjekurve nuk është një çështje votash, po një çështje drejtësie shoqërore dhe programi ynë për një Rilindje Shqiptare ka përfshirë zgjidhjen e kësaj çështjeje, jo për të ndërruar bindjet e simpatitë politike të të përndjekurve, po sepse ne besojmë që dëmshpërblimi i tyre moral e financiar, ka rëndësi për dinjitetin e shoqërisë së dalë nga diktatura. Akulli është thyer ndjeshëm gjithësesi. Shumë sy e veshë të shtresës së të përndjekurve janë hapur, edhe pse shumë të tjerë mbeten të verbër e të shurdhët përballë të vërtetës se nga Partia e Sali Berishës ata s’do të përfitojnë asgjë të konsiderueshme, as moralisht e as financiarisht, derisa të ndërrojnë jetë.

Por çka është shtruar në shtresën e zullumit të asaj partie ndaj tyre, është ripërndjekja e Dod Mirit, që në këndvështrimin tim përbën vetëm një shembull tanimë publik të asaj që ndodh rëndom, pa asnjë gajle në kurrizin e shumë të tjerëve si ai, ndërkohë që qindramijëra shqiptarë të zakonshëm e të papërndjekur më pare, jetojnë në të përditshmen e tyre përndjekjen e kohës së re: O me ne për një copë bukë o kundër nesh deri tek humbja e bukës së gojës! Sepse Shqipëria sot është nën pushtetin e ri të kohës së vjetër dhe duke kujtuar se luftojnë ende me pushtetin e vjetër, shumë ndër të përndjekurit politikë të asaj kohe, janë bërë fatkeqësisht bashkëfajtorë me pushtetin e ri, duke harruar se burgu i tyre ishte në thelb gogoli i lirisë së çdo shqiptari. E atyre më shumë se kujtdo, u takon ta respektojnë vuajtjen e tyre dje, duke respektuar e mbrojtur në radhë të parë jo pushtetin e një partie, po lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e çdo njeriu që jeton në Shqipërinë e sotme, mendon ose jo njësoj si ata vetë.

Dikur, një militant i famshëm amerikan i të drejtave të njeriut, që kishte kaluar jetën për të mbrojtur të burgosurit politikë nëpër botë më pat thënë, “Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për t’i dalluar ata që kanë bërë burg se kanë qenë kundërshtarë politikë nga ata që kanë rënë në burg me akuza politike, paçka se mund të mos e kenë kundërshtuar regjimin as në gjumë. Të parët nuk urrejnë, janë tolerantë dhe mbrojnë me zell vlerat demokratike, të dytët nuk shpëtojnë kurrë nga urrejtja dhe intoleranca e shkelin pa ngurrim çdo parim demokratik! Sepse të parët kanë hyrë në burg për të ardhmen, kurse të dytët kanë mbetur në burgun e të shkuarës”.