Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 14:36

Tiranë- Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar, kreu i PS-së, Edi Rama, është ndalur tek ekonomia dhe kriminaliteti i rritur ndjeshëm.

Rama ka thënë se shifrat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë atë që opozita e thotë prej më shumë se një viti, që në Shqipëri ka një milion të papunë.

Duke u ndalur tek krimi, Rama tha se ai tashmë ka dalë jashtë kontrollit dhe po tmerron vendin, duke qenë se policia dhe vetë shteti është duke e stimuluar atë. Rama tha se kjo qeveri nuk mund ta luftojë krimin.

Në fund, duke iu referuar materialit të SHKB-së, Rama tha se u konfirmua që kishte një plan për vrasje të paramenduara më 21 janar dhe për këtë arsye, sipas tij, Lulzim Basha dhe Sali Berisha duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Kryeministri nuk rresht duke na sharë sepse prej vitit të shkuar ne themi se në Shqipëri ka një milion të papunë. Kjo konfirmohet qartë nga Banka e Shqipërisë, e cila tregon se të papunët në Shqipëri kanë arritur në një milion. Nëse gënjen Banka e Shqipërisë, atëherë ka një gjasë: papunësia është më e madhe se kaq, sepse Banka e Shqipërisë nuk është një institucion që është i varur nga opozita, por as i pavarur, sepse është kthyer në një vegël të qeverisë.

Shqipëria ka sot nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001. Ndaj, unë i them sot kryeministrit në emër të opozitës dhe të vërtetës së shifrave: turp, turp, turp.

Turp për papunësinë, turp për kryeministrin që fsheh të vërtetën e hidhur, turp për Saliun, që në vend të pranojë dështimin, i turret opozitës që e thotë dhe do ta thotë me zë të lartë të vërtetën: Shqipëria ka një milion të papunë.

Në një vend ku forcat e punës janë 2 milionë e 600 mijë dhe të punësuarit vetëm 900 mijë, nuk ka se si të mos rriten shifrat e kriminalitetit.

Programi ynë është e vetmja rrugë për të përballuar krimin. Sot jetojmë në një vend ku përballemi me vrasje, eksploziv dhe me grabitje. Vrasin kriminelët, por dhe të rinjtë që vuajnë nga papunësia. Vret kryeministri dhe i quan vrasësit heronj. Vrasësit janë sot sundimtarët e ditës, ndërsa mijëra vjedhje të vogla nuk paraqiten fare nga ana e policisë. Sot policia dhe drejtuesit e saj kryesorë bashkëpunojnë me krimin dhe e kontrollojnë atë. Rrënjët e këtij kriminaliteti po tmerrojnë vendin.

Këto rrënjë gjenden tek politika e egër, tek arsimimi partiak, tek plagët e tmerrshme sociale, duke nisur nga varfëria dhe deri tek korrupsioni, tek drejtësia e kalbur, e cila është nënshtruar ndaj pushtetit dhe parasë. Shkurt, janë tek mungesa e shtetit, që është kthyer në funksion të pushtetit.

Ne do t’u japim shqiptarëve një platformë të qartë se si do të luftojmë krimin, ndërsa do të paraqesim në parlament disa nisma për të rënduar dënimet, pasi gjendja është e pajustifikueshme dhe e papranueshme.

Kriminelët po fitojnë çdo ditë një superioritet ndaj shtetit që ka rënë, ndërsa vrasësit dhe grabitësit po gëlojnë çdo ditë. Kjo gjendje duhet të ndryshojë, por këtë gjendje nuk mund ta ndryshojë kjo qeveri. Kjo mbetet detyra jonë dhe ne jemi të gatshëm ta përballojmë këtë gjë.

Së fundmi, raporti i SHKB-së tregoi dje se më 21 janar vrasjet ishin të paramenduara, ndërsa u provua se vrasjet janë politike dhe përgjegjës direkt janë ish-ministri i Brendshëm dhe kryeministri Berisha”, tha Rama.