Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:31

Kjo është intervista që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka thënë agjencisë Presheva Jonë, pas vizitës që zhvilloi aty.

Z.Rama, fillimisht bisedën tonë po e nisim  me një pyetje, sic thonë tek ne ‘ku dhemb dhëmbi, aty shkon edhe gjuha’, pra me Preshevën. Meqë qëndruat ditë më parë në Preshevë, si ju pritën dhe çfarë përshtypje u ndatë?

Ishin njerëz te mrekullueshëm. Varfëri e dhimbshme. Gjendje e padurueshme sociale për të cilën Shqipëria duhet me patjetër të bëjë diçka për të ndihmuar. Nuk prisja që në mes të dëborës e me një mot aq të ftohtë të më uronin mirëseardhjen aq shumë njerëz. U jam mirënjohës përgjithmonë dhe do të kthehem përsëri me shumë dëshirë.

Gjatë qëndrimit në Preshevë, madje dhe pas largimit në Tiranë keni folur për përkrahje, për mbështetje për popullatë e këtyre viseve. Mund të na thoni diçka më konkretisht për çfarë përkrahje është fjala këtu?

Ne po përgatisim një projektligj që do ta dorëzojmë ne parlament për financimin e dy shkollave dhe të një materniteti. Ndoshta është shumë, pak por është sidoqoftë diçka për të filluar. Fakti qe qysh prej kohës se ish- Jugosllavisë aty s’është ndërtuar asnjë shkollë e re është rrënqethëse dhe e papranueshme.

Kur jemi  tek Lugina e Preshevës, edhe pse jem në dimër, sa here nxehet situata në veri të Kosovës, po ashtu kjo situatë nxehet edhe në Luginë të Preshevës dhe nuk mungojnë edhe idetë e spekulimet e larmishme herë për këmbim territoresh e herë për ndarje të Kosovës. Po ju z. Rama si e shihni të ardhmen e Luginës ë Preshevës?

Ndërrimi i territoreve nuk është opsion. Kosova është shtet i Pavarur dhe i paprekshëm në integritetin e vet territorial. E ardhmja e Shqiptarëve ne rajon është Europa dhe shqiptaret e Luginës se Preshevës meritojnë në Europë në trojet e tyre. Me liri e të drejta të plota e të paprekshme, me ekonomi të zhvilluar, me arsim e shëndetësi të denjë për një bashkësi njerëzish që jetojnë në mes te Europes dhe sot janë ende larg saj për shkak politikash qorre që rrisin veç pakënaqësinë e dëshpërimin social.

Po cili do të ishte mesazhi i juaj për liderët politik në Luginën e Preshevës, sepse edhe pse këtu janë një grusht shqiptarësh ka parti shumë dhe nuk janë pa divergjenca, për t’mos thënë përçarje?

Po, sigurisht sa më të bashkuar të jenë shqiptarët aq më fort do të dëgjohet zëri i tyre.

Gjatë një interviste  në Gjenevë me ministrin serb Dacic ai i ka thënë  agjencisë sonë se ma mirë ridefinim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe Shqipërinë, me dialog se sa me  luftë. Për çka flasin këto deklarata dhe a ju jeni për lëvizje, ridefinim  të kufijve në Ballkan?

Serbia vazhdon te jete peng i së shkuarës dhe nuk po don ende ta kuptojë realitetin se Kosova lavdi Zotit dhe lavdi çlirimtarëve të saj së bashku me forcat e mëdha demokratike të botës, i ka ikur përfundimisht nga duart, nga okupimi. Kosova sot është shtet më vete dhe Serbia duhet të kuptoje se me Kosovën duhet te sillet njësoj si me gjithë shtetet e tjera pasi çështja e Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Sa me shpejt ta kuptojë këtë Serbia, aq më mirë do të jete për popullin e saj dhe për gjithë rajonin. Lufta e sotme e Kosovës dhe Shqipërisë ështe lufta për integrimin europian të të dyja shteteve dhe përpjekja e përbashkët për një Ballkan të integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Shqipëria mbështet e do të mbështesë përmes të gjithe faktorëve të saj politikë, çdo vendim e qëndrim të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë e me ardhmërinë europiane të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë që mes Shqipërisë e Serbise nuk  është me Kosova, Lugina e Preshevës ku është e domosdoshme  rerspektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptareve në këto vise.

Sikur në Kosovë ashtu edhe në Luginën e Preshevës jeni i njohur në “luftën” rreth bashkisë së Tiranës. Më mirë sot e keni të jeni një kryetar i një partie, të një opozite të forte apo kryetar i një bashkie?

E kam jetuar me pasion të jashtëzakonshëm punën në krye të Bashkisë së Tiranës dhe besoj kam të gjithë të drejtën të jem krenar për sa kam bërë bashkë me njerëzit e bashkisë e me banoret e kryeqytetit ne këto njëmbëdhjetë vitet që e transformuam Tiranën në një qytet europian. Sot jetoj me të njëjtin pasion punën në krye të opozitës shqiptare me bindjen se nesër do të transformojmë Shqipërinë e kyçur ne rrethin vicioz të prapambetjes e të gënjeshtrave qeveritare.

Po Kosova në sy të socialistëve shqiptarë? Mendoni se Kosova po ecën mirë, lobimi, njohjet një proces në rrugë të mbarë?

Ajo çka ka ndodhur me Kosovën ne pak më shumë se dhjetë vjetëve është fantastike, e paimagjinueshme për shumëkënd deri kur luftëtarët e guximshëm të saj dhe bota demokratike i dhanë fund barbarisë serbe në trojet tanimë të çliruara e të pavarësuara të Kosovës. Kosova e fitoi luftën e nisur nga Ibrahim Rugova e ndjekësit e tij të vendosur dhe të kurorëzuar me sukses nga Hashim Thaçi e Ushtria e saj Çlirimtare. Sot Kosova po lufton me te tjera halle e probleme, qe janë hallet e problemet ekonomike e sociale të një shteti të dalë nga një errësire e gjatë, ndërkohë që procesi i njohjeve të shtetit të saj të ri është pa ndalesë e as kthim.

Ka mendime të larmishme rreth aktiviteteve të “Vetëvendosje”-s. Ju me çfare syri e shifni këtë lëvizje? Ku mund të arrihen qëllimet apo ambiciet politike, më mirë, më lehtë përmes rrugëve të qytetit apo ato institucionale ?

Vetëvendosja është pasuri kombëtare dhe për këtë s’kam asnjë dyshim. Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se Albin Kurti është një ndër shqiptarët më të mirë me të mençur e më të kulturuar që jetojnë sot. Unë s’kam leksione për të dhe e ndjek me admirim përpjekjen e tij, pavarësisht se nuk ndaj me Albinin të njëjtën qasje strategjike për ardhmërinë e shqiptareve. Por pa Albinin dhe Vetëvendosjen politika shqiptare do të ishte padyshim shumë më e varfër.

Nuk mund të përfundojmë bisedën pa prekur marrëdhëniet  e juaj me pozitën, me shefin e saj Sali Berishën. Marrëdhëniet me pushtetin i keni sot më të mira apo më të acaruara se sa dikur, kur ju ishit në pushtet, dmth, partia e juaj?

Unë s’kam qenë ndonjëherë në pushtet ne kuptimin e qeverisjes së Shqipërisë dhe jam i bindur se përtej personalitetit shumë të diskutueshëm të Sali Berishës, Shqipëria meriton te qeveriset shumë më mirë dhe shqiptaret meritojnë shumë më tepër nga qeveria e tyre. Me Sali Berishën s’kam asgjë personale, po thjesht një vizion krejt të ndryshëm, një formim krejt të ndryshëm, një edukatë krejt të ndryshme. Sali Berisha është e shkuara që mban peng zhvillimin normal të Shqipërisë dhe përçan shqiptarët mesveti në funksion të një pushteti të korruptuar e injorant.

Ditëve të fundit në mediat shqiptare janë dy emra që po i hasim më së shpeshti ai i Ina Ramës dhe Sali Berishës. Në Gjenevë takuam kryeprokuroren shqiptare Ina Rama dhe ajo na tha se “po na pengon Berisha për 21 janarin”. Për çfarë pengesash është fjala këtu?

Sali Berisha është përgjegjës për vrasjet e 21 janarit, ndërsa Ina Rama ka përgjegjësinë të hetojë deri në fund dhe të kërkojë drejtësi. Kështu që është e thjeshtë të kuptohet pse Saliu e pengon me çdo mjet hetimin dhe sulmon në mënyrën më primitive kryeprokuroren. E cila meriton të gjithë mbështetjen dhe respektin e shqiptarëve për kurajon e për integritetin profesional.

Z. Rama, edhe pse jeni në opozitë, dorën në zemër, në Shqipëri a ka diçka mirë?

Në Shqipëri ka njerëz të jashtëzakonshëm, vullnet e talente të rralla, vepra te admirueshme të iniciativës private, por ka një qeveri banale që Shqipëria nuk e meriton dhe e mban në kurriz fale vjedhjes së zgjedhjeve.

Siç e dini z.Rama, shqiptarët anë e kënd ku ndodhen, madje edhe ne diasporë sivjet kanë filluar me kremtimet për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë. Mund të na thoni se ky përvjetor si po i gjen shqiptarët në Gadishullin Ilirik, mund të rrahim gjoks se kombi ynë ka ecur përpara. Sikur të ishte gjallë Skënderbeu apo Ismail Qemali kujt do t’ia tërhiqte veshin apo do t ja vente  njësh (Enver Hoxhës, Fatos Nanos, Alfred Moisiut, Rexhep Mejdanit, Sali Berishës apo Edi Ramës) se detyrat e shtëpisë, detyrat e kombit nuk i ka bërë si duhet?

Zakonisht veshët i tërhiqen qeverisë, sepse siç thoshte i madhi Ronald Regan qeveria është gjithmonë problemi.