Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 23:04

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama konfirmoi sot rikandidimin e tij për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 8 majit.
I ftuar në emisionin televiziv “Top Story” në Top Channel, Rama deklaroi se “rikandidimi për bashkinë e Tiranës është një detyrim”, të cilën, sikurse u shpreh, e ndjen si pjesë integrale të betejës elektorale në zgjedhjet vendore. 
“Ky proces për mua personalisht ka qenë i ngarkuar shpirtërisht. Pasi shumë persona më kanë thënë se është koha për t’i dhënë Tiranës një kandidat dhe një tjetër kryetar Bashkie të PS-së, ndërsa unë të angazhohem fund e krye me punën aspak të lehtë të udhëheqësit të opozitës. Por në anën tjetër më është dashur të ndeshem intensivisht përditë e më shumë me zërat e mijëra njerëzve që më kanë kërkuar rikandidimin”, tha Rama.
Sipas tij, Bashkia e Tiranës synohet nga të dyja forcat politike, pasi kryeqyteti është vendi ku maten forcat në pikën e tyre më kulmore.
Lidhur me largimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga koalicioni opozitar, Rama theksoi se “PBDNJ nuk është pjesë e koalicionit, por me këtë forcë politike, PS do të bëjë një marrëveshje të veçantë bashkëpunimi mes aleatësh të ndershëm dhe të hapur për publikun, që bashkohen në shumëçka, por jo mbi gjithçka”.
Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, Rama tha se qëndrimet e PS-së dhe PBDNJ-së janë ndarë përsa i përket kandidimit për Bashkinë e Himarës.
“Ne kemi qëndrim kritik ndaj sjelljes së kryetarit të Bashkisë së Himarës. Në këtë qëndrim ne ndahemi dhe ndaj do të garojmë veç e veç, sepse konsiderojmë se kryetari i Bashkisë së Himarës nuk i përgjigjet denjësisht nevojave të atij komuniteti, apo domosdoshmërisë për të pasur një marrëdhënie bashkëjetese demokratike qytetare mes shqiptarëve dhe anëtarëve të minoritetit”, tha Rama.
Rama hodhi poshtë mundësinë që PS të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore, apo të braktisë procesin zgjedhor të 8 majit.
“PS do të jetë kudo përballë, do luftojë për votën e qytetarëve dhe do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur votën. Në rast se vota do të preket ne do të jemi në rrugë dhe nuk do të kthehemi nga rruga derisa të vendosim në këtë vend votën e lirë”, tha Rama.
“Ne nuk jemi në këtë betejë për t’u tërhequr”, tha Rama. 
Kreu i PS u prononcua lidhur me ligjin për amnistinë fiskale, të shpallur nga Qeveria. “PS nuk ka asgjë kundër amnistisë fiskale në parim, por vetëm në rast se bëhet fjalë për një amnisti fiskale serioze dhe jo për të legalizuar paratë e naftës virxhin, apo paratë e drogës dhe trafiqeve”, tha ai. Rama tha se “jemi të gatshëm të diskutojmë shumë seriozisht dhe të bëjmë një ligj të standardeve demokratike ndërkombëtare”.
Partia Demokratike ka konfirmuar më parë (22 mars) kandidaturën e Lulzim Bashës për kreun e Bashkisë së Tiranës, ndërsa sot, Basha paraqiti edhe dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe mandati i deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Me konfirmimin e kandidaturës së Edi Ramës për kreun e Bashkisë së Tiranës nën siglën e PS-së, formalizohet edhe nisja e garës elektorale në kryeqytet për zgjedhjet e 8 majit 2011.