Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 20:31

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, duke deklaruar se “opozita do të ndërmarrë një aksion popullor për ringjalljen e drejtësisë në vend”.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat nga selia rozë, Rama u shpreh sot pasdite se fjalët janë të tepërta, sepse Kolegji Zgjedhor vulosi grabitje të dhunshme si dhe nxorri humbësin fitues.

“Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse të gjithë e dinë të vërtetën e zgjedhjeve në Tiranë, të gjithë qytetarët,  ndërkombëtarët dhe gjyqtarët. Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse akti i Kolegjit flet më shumë se çdo fjalë për kapitullimin pa kusht të drejtësisë nën trysninë e një pushteti kusarësh dhe matrapazësh”, nënvizoi ai.

Duke u shprehur se “drejtësia në Shqipëri ka vdekur”, kreu i PS-së bëri të ditur se, “opozita do të flasë në një aksion të madh popullor për ta ringjallur drejtësinë dhe shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrësit e saj”.