Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 13:20

Tiranë – Partia Republikane i ka kërkuar elektoratit republikan në Fier që të mbështesë  kandidatin për kryetar bashkie Ilir Bele, i cili mbështetet nga koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin”.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi mbështetje dhe për kandidatët për këshilltarë bashkie dhe komunash, që dalin direkt nga listat e partisë që ai drejton.

Mediu theksoi arritjet e koalicionit qeverisës, si ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore, si rruga e kombit Durrës- Kukës, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave etj, ndërsa e konsideroi “Aleancën për qytetarin” si garanci për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Kryetari i PR-së u ndal edhe në rolin e opozitës, që, siç u shpreh ai, nën drejtimin e Edi Ramës ka pasur vetëm rol pengues në proceset historike, si liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO, dhe së fundi për statusin e vendit kandidat në BE.

Mediu solli në vëmendje edhe çështjen e pronës, një nga shtyllat e platformës politike të Partisë Republikane.