Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 15:34

Në prag të nisjes së procesit të përgatitjes për lëshimin e kartave biometrike të identitetit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mbajti sot një takim konsultativ, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërministror dhe me partnerët e jashtëm.

Në këtë ceremoni morën pjesë, zv/kryeministrja e  Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve të Kosovës.

“Karta e re biometrike ka funksionin e pasaportës, duke lehtësuar edhe me shumë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, theksoi ministri Rexhepi.

Ndërsa, zv/kryeministrja dhe ministrja Mimoza Kusari-Lila, tha se me fillimin e punës për kalimin e procesit në kartela biometrike, nga aspekti i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ky proces është i rëndësishëm për dy çështje.

“Në procedurën e regjistrimit të biznesit dhe lehtësirave për të bërë biznes do të mundësojë një identifikim më të shpejtë, më të sigurt, dhe së dyti me lehtësinë e lëvizjes dhe me qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në rajon. Më vonë shpresojmë, pas procesit të liberalizimit të vizave, edhe në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Kusari-Lila.