Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 18:45

Paris-I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane të Francës rreth vendimit të Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës. Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Bernard Valero, shprehu qëndrimi kundërshtues të Parisit rreth këtij vendit të shtetit serb.

“Franca kërkon nga Serbia që të përmbahet për thirrjen e organizimit të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Një vendim i tillë do të binte në kundërshtim me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me realitetin e Kosovës së pavarur nga viti 2008, konform me të drejtën ndërkombëtare (mendimi i GJND’së, më datë 22 korrik 2010)”, thuhet në deklaratën e Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Francës.

“Po ashtu, nuk do të ishte konform frymës së procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe nismës serbe për afrim me Unionin Europian, të cilën e mbështesim”, vazhdon deklarata e Zëdhënësit Bernard Valero.

Franca, sërish, ripërsërit mbështetjen e saj për sovranitetin e Kosovës. “Franca rikujton mbështetjen e saj për sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj”, thuhet në deklaratë.