Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 11:09

Tiranë – Një ditë përpara përfundimit të afatit ligjor për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 8 majit, dy partitë e mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste pritet të mbledhin të dielën forumet për të zyrtarizuar emrat që do të garojnë për 383 njësitë vendore në shkallë vendi. 
Për zgjedhjet vendore do të konkurojnë 56 subjekte politike, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione- koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin”, i kryesuar nga Partia Demokratike në pushtet dhe që përfshin 22 parti dhe koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen” i drejtuar nga Partia Socialiste që përfshin 23 parti. 
11 subjekte të tjera zgjedhore kanë vendosur të konkurojnë të vetme në zgjedhjet e 8 majit, mes të cilave dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që pak ditë më parë refuzoi të jetë pjesë e koalicionit të majtë, pasi siç u përfol, aleatja e saj, Partia Socialiste, nuk mbështeti rikandidimin e Vasil Bollanos në krye të bashkisë së Himarës.

Sipas kodit zgjedhor, emrat e kandidatëve, me të cilët do të garojnë subjektet politike, duhet të regjistrohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve brenda datës 28 mars, që është dhe afati i fundit ligjor. 
Partia Demokratike ka përcaktuar mesditën e së dielës për të mbledhur Këshillin Kombëtar, që do të miratojë dhe listën me emrat e kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit.
Deri tani PD ka shpallur dhe prezantuar kandidatin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, që garon nën siglën e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”. Gjatë prezantimit të programit të tij, tre ditë më parë Basha u shfaq larg një debati politik me rivalin e tij, kryesocialistin Edi Rama i cili do të rikandidojë për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës. Basha u përqëndrua në problemet e shumta të Tiranës dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre nëse qytetarët votojnë kandidaturën e tij. I shkolluar në universitetet më të mira të Europës për juridik, Lulzim Basha është pjesë e politikës shqiptare prej vitit vitit 2005 kur ai fitoi mandatin e deputetit, për të drejtuar më pas disa prej ministrive me të rëndësishme. Ai konsiderohet nga demokratët si personaliteti i duhur për të drejtuar Tiranën drejt përmbushjes së ëndrrës së të gjithë qytetarëve për të pasur një kryeqytet modern europian.
Kryesia e Partisë Socialiste pritej të miratonte të shtunën pasdite listën e kandidatëve për zgjedhjet e 8 majit, por mbledhja është shtyrë për të dielën. Shtypi i sotëm e ka komentuar shtyrjen e mbledhjes me ngërçin mes PS dhe aleatëve për emrat e kandidatëve. 
Në Tiranë, e majta do të ketë si kandidat kryesocialistin Edi Rama, i cili pak ditë më parë deklaroi vetë ambicien e tij për një mandat të katërt në krye të bashkisë. Kryesocialisti ka treguar se fillimisht kishte menduar që pas tre mandatesh të tërhiqej nga drejtimi i Tiranës, por sipas tij, kërkesat e qytetarëve të shumtë siç e përshkroi ai, bënë që të rikandidonte. Gjatë intervistës së tij Rama nuk bëri të ditur se çfarë do t’i ofrojë kryeqytetit në këtë mandat të katërt, por u shpreh i sigurt se do të fitojë ndaj rivalit të tij Lulzim Basha.
Me profesion piktor, Edi Rama u shfaq aktiv në politikën shqiptare në vitin 1998, kur u emërua në krye të Ministrisë së Kulturës dhe dy vjet më pas u zgjodh kryetar i bashkisë më të madhe në vend. Prej vitit 2005 Rama drejton dhe PS-në, pas dorëheqjes së Fatos Nanos si kryetar i kësaj force politike që humbi zgjedhjet e përgjithshme.