Prishtinë- Një biletë treni, pa emër e mbiemër të pasagjerit, është përdorur si provë materiale nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e urdhër arrestimit ndaj ministrit pa portofol të Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin.Bileta është konsideruar si dëshmi se ministri serb kishte hyrë herën e fundit në Kosovë në mënyrë legale.
Gjykata ka vendosur mbi bazën e një kërkese të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e bërë të mërkurën.
“Koha Ditore” ka siguruar një kopje të aktvendimit të Gjykatës. Dy pika ka gjithsej.
“Urdhërohet tërheqja e udhër arrestimit… ndaj të dyshuarit Aleksandër Vulin nga Novi-Sadi, i lindur më datën 02.10.1972 në Bosnjë-Hercegovinë, serb, shtetas i Republikës së Serbisë, me 1.nj.nr 001795261, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë”, thuhet në pikën e parë.
“Këtë tërheqje të udhër arrestimit ta zbatojë Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë-veri, Njësia e ekzekutimit të udhër arrestimeve në bashkëpunim me stacionet e tjera policore në Kosovë”.