Lajme Shqip Friday, 19 October 2012 12:52

Prishtinë-Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, duke mbyllur punën e mbledhjes së sotme të Kuvendit, iu drejtua deputetëve të pranishëm me fjalët “Para jush dhe para opinionit, unë e tërheq fjalën e djeshme për ministra. Pavarësisht e ndryshon kjo gjendjen apo jo, unë e tërheq fjalën”, tha ai.

Krasniqi dje e kishte quajtur rrugaç ministrin Bajram Rexhepi, pas një debati të nxehtë rreth pranisë së policisë në objektin e Parlamentit. Kryetari i Kuvendit mungoi gjatë hapjes së mbledhjes së sotme të Parlamentit, por ishte i pranishëm në përfundim të saj.

Mbledhja e ndërprerë dje e Kuvendit të Kosovës i vazhdoi punimet sot me procedimin e rendit të paraparë të ditës. Mbledhja kaloi në një atmosferë të qetë, si zakonisht me numër minimal deputetësh, të cilët në vend në sallë të mbledhjeve, më shumë kohë kalojnë në bufet.

Për pasojë, disa Projektligje që kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve u shtynë për një mbledhje tjetër. U shqyrtua dhe u miratua edhe Raporti i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2011.