Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 17:40

Tiranë – Për herë të parë pas 16 vjetësh, që nga djegia e redaksisë prej pushtetit të PD-së në mars 1997, kryeministri i ri, ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”. Lexoni se çfarë mendon Edi Rama për Ilir Metën, Ben Blushin, Sali Berishën, Bujar Nishanin, Spartak Ngjelën, Nikoll Lesin, Toni Bler, Hashim Thaçin, kryeministrat e Turqisë, Greqisë dhe Italisë, liderët shqiptarë të Maqedonisë si dhe disa ministra të kabinetit të tij. 

“Koha e Jonë” e ka pyetur kryeministrin Rama se çfarë “magjie” u bëre dy liderëve shqiptarë në Maqedoni, Menduh Thaçi e Ali Ahmeti. “I bashkove për të dytën herë në mënyrë të papritur për publikun; ishte raki e fortë apo forca e një shpirti shqiptar që i bëri të qeshnin  kaq shumë aq sa opinioni publik mendoi se “mrekullia ndodhi”, ishte pyetja. 

“Dy liderët e shqiptarëve të Maqedonisë më kanë dhënë bujarisht miqësinë e besimin e tyre dhe kemi mundur të ulemi krejt natyrshëm për të diskutuar mes nesh për çështjet e interesit të përbashkët”, ka thënë Rama. 

Kryeministri është pyetur nëse vëllazëria me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi ishte “lojë me “Portën e Lartë”, raport Burrash Shteti proamerikanë apo ëndrra e fshehur për një komb të unifikuar në një shtet të vetëm shqiptar. “Jemi miq të kahershëm me kryeministrin e Kosovës dhe tani na bashkon edhe detyra e përbashkët për të çuar në një nivel të ri bashkëpunimi marrëdhëniet mes të dyja shteteve. Pres me entuziazëm mble­dhjen e parë të të dyja qeverive në Prizren”, ka thënë Rama.,

I pyetur nëse vuan nga psikoza kryeministrore se e zotëron situatën në gjithçka, Rama ka deklaruar se situatën në gjithçka mund ta zotërojë vetëm Zoti, “nëse vërtet ekziston në formën që i ka dhënë besimi i njeriut në të. “Ndërsa psikozën se të gjithë ta kanë me hile mund të kesh, them unë, vetëm nëse ua  ke të gjithëve me hile. Prandaj s’e gjej veten në asnjërin prej dy rasteve”. 

Rama thotë se as nuk tensionohet as nuk i përqesh ata që shkruajnë kundër tij në media. “Kur më ndodh t’i lexoj kundërvëniet ndër ato fare pak gazeta që shfletoj në herët e pakta që më jepet mundësia, thjesht mundohem t’i kuptoj”, ka thënë ai. 

Gazetari i “Koha Jonë” e ka pyetur kryeministrin Rama nëse te kryeministri turk  Erdogan, i pëlqen autoriteti i tij  për të shtypur kundërshtarët apo pamja sulltanore. Kryeministri shqiptar është përgjigjur se kryeministri i Turqisë është një mik i mirë i shqiptarëve dhe një kryeministër jashtëzakonisht mbresëlënës në bilancin e tij të derisotëm qeverisës.

Ndërsa, për kryeministrin grek Antonis Samaras ka thënë se i ka lënë përshtypjen e një lideri të vendosur për të nxjerrë vendin e vet nga kriza e madhe ekonomike.