Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 14:50

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka komentuar të dielën në Ferizaj rreth refuzimit të Serbisë për të arritur marrëveshje për telekomin dhe energjinë.

“Ende ka dilema Beogradi për të pranuar marrëveshjen, sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë. Sa i përket Prishtinës dhe Bashkimit Europian, kjo çështje është mbyllë, kështu që shpresoj se në ditët e ardhshme edhe Beogradi do të bindet për të pranuar marrëveshjen që është e standardit europian, dhe është e nevojshme dhe e domosdoshme për të lëvizur përpara proceset”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë zyrtarë të Qeverisë kanë shpalosur se cfarë ofron marrëveshja që është dashur të pranohet të premten e kaluar nga pala serbe.

Por, çfarë ofron draft-marrëveshja e ofruar nga ndërmjetësuesi, Bashkimi Europian?

Dren Zeka, Këshilltar i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, që drejton palën kosovare në këto bisedime, ka thënë për “Top-Channel” nëpërmjet përgjigjeve të shkruara se “sipas draft marrëveshjes Kosova pritet të marrë kodin unik shtetëror ndërkombëtar telefonik dhe njëkohësisht pritet edhe normalizim i gjendjes në fushën e telekomunikacionit dhe se kjo marrëveshje është e favorshme për Kosovën”.

Përveç kësaj, Zeka ka bërë të ditur se “parashihet një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se gjoja operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë”.

I pyetur se çfarë konkretisht parashihet si zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, Zeka ka dhënë përgjigjen se bëhet fjalë për “zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë, por që do të jetë i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve dhe kornizës rregullative të Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së, Suedia ose Austria.

Kosova, në mungesë të kodit të vet, vazhdon të shfrytëzojë 3 kode të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë.

Por Serbia ka kërkuar që në Kosovë të operojnë dy operatorë.