Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 12:27

Tiranë – Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë çështjen e Florie Pecit, Prokurorisë së Tiranës, e cila tashmë ka nisur një hetim.

Përcjellja është bërë pas letrës së denoncimit që ka dërguar vëllai i studentes së mbijetuar nga aksidenti i Himarës, e cila rezulton të jetë shtatzënë, gjë që ka ndodhur gjatë kohës që trajtohej në Austri, ku edhe u zgjua pas një qëndrimi të gjatë në koma.

Ndërkohë drejtori i Maternitetit “Mbreteresha Geraldine”, ku ndodhet e shtruar Florie Peci sqaron se pacientja është nën një kujdes të vecantë për t’iu nënshtruar të gjithë konsultave të nevojshme.

“Ne duam ta mbajmë nën kontroll. Gjendja e fëmijës është e mirë, analizat janë normale, ecuria normale dhe për ne shtatzënia duhet të vazhdojë. Qëllimi ynë nuk është aborti, por si t’i shërbejmë një fëmije. Nëse Floria e mban këtë fëmijë apo jo, kjo varet nga konsultat e tjera të nevojshme. Ne kemi cdo gjë gati për cdo nevojë që ajo do të ketë”, u shpreh për mediat drejtori i Maternitetit Halim Kosova.

Ngjarja e rede u be publike, pas nje kallzimi penal që ka bërë vëllai i vajzës, Gazmend Peci Prokurorisë së Përgjithshme.

“Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florie Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur, nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Motra ime, në aksidentin e ‘Qafës së Vishës’ në Himarë, pësoi dëmtime të rënda shëndetësore, ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qëndroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe, për shkak të shqetësimeve të shumta, specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Ngjizja e shtatzanisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën ‘Gmunderberg Almunster’ në Austri, në periudhën e rehabilitimit. Motra ime, Florie Peci, është përdhunuar në kushtet e spitalit, ku ka qenë për kurim, me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale, në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej”.

Prokurorit të përgjithshëm i ka dërguar një letër edhe deputeti socialist, Taulant Balla, që si deputet i Librazhdit kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij, që ai vet e quan krim makabër. Zoti Balla kërkon nga kryeprokurori Llalla, që të gjenden autorët jo vetëm në Austri, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që ishin përgjegjës për vajzën, e cila në mirëbesim nga familja iu dorëzua autoriteteve shqiptare për kurim jashtë vendit.(LajmeShqip.com)