Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 13:22

Kryeministri i vendit është paditur për akuzën e “shpifjes” nga ana e deputetit socialist Dashamir Peza dhe bashkëshortes së tij, Entela Peza. Mësohet se shkak janë disa deklarata publike të Kryeministrit në foltoren e Kuvendit gjatë një seancë parlamentare në nëntor të vitit 2009.

Duke i pretenduar këto thënie si të pavërtëta, bashkëshortët Peza kërkojnë në Gjykatë gjykimin e Kryeministrit Berisha për akuzën e “shpifjes”, të kryer botërisht. PADIA Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë konfirmuan dje depozitimin e një kërkesë-padie, ku të dëmtuar akuzues janë Dashamir Peza dhe Entela Peza.

Po sipas burimeve, kjo kërkesëpadi është kundër Kryeministrit Sali Berisha. Në këtë padi Berisha akuzohet nga Dashamir dhe Entela Peza për “shpifje”, e kryer botërisht.

Deklarata e Berishës në Parlament

Në përmbajtjen e kërkesë-padisë citohet fjalia e shqiptuar nga Berisha, e cila pretendohet si shpifje dhe e pavërtetë nga ana e bashkëshortëve Peza:”Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit e të deshëve dhe e detyron të largohet natën e lemeritur?”.

Mësohet se është kjo shprehja për të cilën deputeti Peza dhe bashkëshortja e tij i janë drejtuar gjykatës duke ngritur një akuzë për “shpifja”. SHORTI “Sot, më datë 25.11.2011, në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë me nr.11/11 akti, në ngarkim të të akuzuarit z. Sali Berisha dhe akuzues z. Dashamir Peza dhe znj. Entela Peza, me objekt ‘Shpifje’, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal dhe neni 73 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga: Ardian Nuni, relator i çështjes, Arjana Fullani, Besnik Imeraj, Guxim Zenelaj, Medi Bici”, njoftoi dje shefja e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica.

Prej disa muajsh, Gjykata e Tiranës është duke shqyrtuar një sërë padish për “shpifje” të depozituara nga deputetë të djathtë kundër kundërshtarëve të tyre të majtë.

Vetëm në dy muajt e fundit, Gjykata e Tiranës ka dhënë disa vendime ku deputetët socialistë Eduart Shalsi, Sajmir Tahiri dhe Artan Gace u gjobitën në shuma nga 1 deri në 3.3 milionë lekë, pasi u deklaruan fajtorë për “shpifje” ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi. Ndërkohë disa gjykime të tjera të këtij lloji janë në shqyrtim e sipër në Gjykatën e Tiranës.

FJALIA E AKUZËS
“Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe të deshëve dhe e detyron të largohet natën e lemeritur?”

MAJ 2010
Gjykata e Lartë rrëzoi Aneta Ramën

Më 24 maj të vitit 2010, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë vendosi rrëzimin e kërkesës së Aneta Ramës, nënës së kreut të opozitës, Edi Rama, për të akuzuar Kryeministrin Sali Berisha për “shpifje”.

Në një padi të depozituar në Gjykatë, paditësja Aneta Rama i kërkonte togave të zeza “gjykimin e të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen në dëmin tim të veprës penale të ‘shpifjes’, të kryer botërisht”.

“Pasi ka dëgjuar palët e paraqitura në Gjykatë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke arsyetuar se “vepra penale e pretenduar nga ankuesja Aneta Rama, nuk i kundërdrejtohet asaj”, në bazë të nenit 290-291 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: ‘Mosfillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Sali Berisha për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht, të parashikuar në nenin 120/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në dëm të kërkueses Aneta Rama’”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë. (LajmeShqip.com)