Lajme Shqip Saturday, 15 August 2015 08:10

Bordi i licencimit të institucioneve private në Ministrinë e Shëndetësisë dyshohet se ka bërë lëshime të rënda në procesin e licencimit të klinikave dhe ordinancave private në Kosovë.

Mësohet se janë gjetur parregullsi në licencimin e së paku 20 ordinancave private. Për këto dyshime është pezulluar i gjithë Bordi i licencimit.

“Ka pasur parregullsi në koordinimin e Inspektoratit Shëndetësor dhe Bordit të licencimit. Inspektorati i ka mbyllur dhe pas disa ditëve janë licencuar prapë”, ka thënë ky burim.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, e ka pranuar se ka dyshime për licencime të parregullta të institucioneve private, megjithatë nuk ka komentuar se për çfarë keqpërdorimesh bëhet fjalë. Kryetari i Bordit të licencimit, Isak Shabani, është i bindur se licencimi i këtyre ordinancave ka qenë proces i rregullt dhe se kjo gjë do të dëshmohet.

Ndonëse njëherë ka thënë se të vetmit që mund të flasin për këtë çështje janë zyrtarët nga zyra e informimit, ai më tutje ka deklaruar se “korrektësinë” e tyre do ta tregojë auditimi, shkruan Koha Ditore.