Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 16:55

Prishtinë – Komisioni Qeveritar për persona të zhdukur në një takim me familjarë të personave të pagjetur ka raportuar për takimin e fundit që kanë pasur në Beograd me delegacionin serb. Sipas Kryetarit të KQPP Prenk Gjetaj, Rashka mbetet ende një lokacion i dyshuar, ku mund të jenë varrosur viktimat e krimeve serbe në Kosovë. Ai tha se është i nevojshëm një presion ndërkombëtar ndaj Serbisë në mënyrë që kjo e fundit të jap më shumë informacione rreth të pa gjeturve.

Nëntë lokacione të dyshuara si varreza masive janë në proces për hulumtime derisa edhe 14 të tjera priten të gërmohen ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj.

Pas një takimi që pati ai me familjarë të personave të pagjetur, Gjetaj tha se disa nga lokacionet e dyshuara i përkasin veriut të vendit dhe për shkaqe sigurie ato ende nuk janë hapur. Ai po ashtu tha se Rashka në Serbi ende mbetet një rajon i dyshuar.

“Për çështjen e Serbisë ne vazhdimisht kemi thënë se rajoni i Rashkës është i dyshuar. Edhe ata në një mënyrë e kanë pranuar dhe faktikisht e dinë por duhet një trysni , një presion dhe në takimin e fundit në Beograd që e kemi pasur e kemi ngritur këtë çështje . Vetëm, me një presion ndërkombëtar mund të detyrohet Serbia se derisa ata kanë pranuar se gjendet një varrezë le të na tregojnë se ku gjendet ajo varrezë”, tha Gjetaj.

Gjetaj shpreson se çështja e personave të pagjetur do të avancohet edhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq në kuadër të projektit sheshi “Ibrahim Rugova” do të vendosen edhe fotografitë e personave që kërkohen prandaj në takimin e sotëm kjo çështje u diskutua edhe me ekspertët e urbanizmit të Komunës së Prishtinës.(LajmeShqip.com)