Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 13:45

Parandalimi i përmbytjeve dhe përmirësimi i infrastrukturës ujore në zonën përreth liqenit të Shkodrës ishte në qendër të takimi ndërministror të zhvilluar në Budva, (Mali i Zi), ku morën pjesë ministri i Bujqësisë, Genc Ruli dhe i Mjedisit, Fatmir Mediu.

Në takim me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, Tarzan Milosevic, ministri Ruli u shpreh se qeveria shqiptare ka mbështetur dhe ka gati projektet për parandalimin e përmbytjeve në zonën e Shkodrës.

Në takimet u prezantuan studimet e fundit për situatën ujore në zonat e Nënshkodrës dhe Ulqinit nga specialistë shqiptarë, malazezë dhe kompanisë “Mott Mac Donald”, e kontraktuar nga Banka Botërore.

Gjatë diskutimeve, ministri Fatmir Mediu vuri në dukje bashkëpunimin e dy vendeve për të mos lejuar më katastrofa ujore.

“Ne do të ecim me të njëjtin ritëm dhe të njëjtin gjykim dhe për të ecur në mënyrë sa më profesionale dhe me investime që i rezistojnë kohës dhe i japin zgjidhje problemit”, tha Mediu.

Ndërsa ministri Ruli tha se qeveria shqiptare dhe ministria e Bujqësisë kanë mbështetur teknikisht dhe financiarisht të gjitha studimet dhe ndërhyrjet që janë bërë në diga, argjinatura, pastrimin dhe thellimin e kanaleve të kullimit në zonën e Shkodrës dhe Lezhës.

Në takimin me Milosevic, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Malit të Zi, u theksua bashkëpunimi në projektet që synojnë dhe shmangin rreziqet nga vërshimet e ujrave.

Të pranishmit në takimin ndërministror vunë në dukje vendosjen e një marrëdhënie unike dhe të koordinuar për veprimet dhe projektet me përfitim të përbashkët.

Ndër prezantimet nga specialistët u vlerësua studimi “Vlerësimi i Përgjithshëm dhe Studim për Menaxhimin e Rrezikut të Vërshimeve (përmbytjeve)”, me tre fazat e ndërhyrjes.

Gjatë muajve të fundit të 2011-ës u bë vlerësim i përgjithshëm i situatës në Shqipëri dhe Mal të Zi, për të vijuar më tej me fazën e dytë ku specialistët e Bankës Botërore dhe dy qeverive bënë një analizë të detajuar mbi rreziqet e përmbytjeve dhe pasojat e mundshme.

Faza e tretë dhe e fundit përfshin hartimin dhe prezantimin e planit të përgjithshëm për përmirësimet e infrastrukturës, mundësitë reale për ndërhyrje në dy vendet dhe zgjidhjet.

Kjo fazë do të zhvillohet gjatë muajve mars-maj 2012. Studimi vlerëson të dhëna të shumta mbi lumenjtë dhe liqenet, shkarkimet e tyre, kanalet e kullimit, hartimin e planit të ndërhyrjes me analizat hidrometrike, topografike, strukturave ujore, mjedisit, kushteve ekonomike e sociale si dhe historiku i vërshimeve të mëparshme.