Durrës – Një 41 vjeçar nga Durrësi është plagosur me thikë për vdekje mbrëmjen e kaluar, ndërsa autori i krimit ka përfunduar në pranga, bënë të ditur sot për ATSH-në burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut.
Sipas të njejtave burime, Agim Ramça, 41 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, po darkonte në shtëpinë e tij së bashku me autorin e krimit, i cili, pas një grindjeje për motive banale dhe nën efektin e alkoolit e ka goditur me thikë shokun e tij.
Goditja pranë zemrës ka qenë fatale për 41-vjeçarin Ramça i cili ka ndërruar jetë ndërsa transportohej në spitalin rajonal të qytetit. Burimet bënë të ditur se autori i krimit, Muharrem Asllani, 55 vjeç, nga Rrogozhina, është ndaluar pak orë pas ngjarjes, ndërsa materialet hetimore i janë përcjellë prokurorisë së rrethit.