Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 08:00

Durrës – Të rinjtë e Durrësit do ta kenë më të lehtë të punësohen, falë një Shërbimi të veçantë që ka nisur të funksionojë dje në qytetin bregdetar.

Gjatë ceremonisë së promovimit në mjediset e Zyrës Rajonale të Punësimit, Dejana Burgija, drejtore e kësaj Zyre, tha se shërbimi për të rinjtë siguron paketa informative e lajmërime punësimi, mundësi stazhi dhe punësimi sezonal si dhe asistencë për hartimin e CV dhe kontratat e punës.

Sipas saj, në Zyrën Rajonale të Durrësit marrin shërbime 60-80 persona në ditë dhe 35 përqind e tyre janë qytetarë të moshës 16-29 vjeç. Tashmë Shërbimi për ta do të jetë i veçantë, jo vetëm për punësimin brenda vendit, por edhe informacione për lëvizjen jashtë tij.

Përfaqësuesja e UNICEF-it në vendin tonë, Vera Gavrilova, tha se tregu i punës ka ndryshuar në mënyrë të thellë dhe për pasojë asistenca për të rinjtë duhet të ndryshojë.

UNICEF ka 60 vjet përvojë dhe mbështetja e këtij Shërbimi për të rinjtë është pjesë e qenësishme e punës së tij. Shërbimi i punësimit të të rinjve është ngritur tashmë edhe në qarqet e Shkodrës dhe të Kukësit.

Qarku i Durrësit përfshin rrethet e Durrësit dhe Krujës dhe ka një popullsi prej afro 400 mijë banorë gjithsej.