Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 14:12

Durrës – Rreth 2. 200 udhëtarë kanë mbërritur sot me tragete në Durrës, për të festuar pranë familjeve ditën e Pashkëve.

Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur s’e tre tragetet e linjes Bari-Durrës kanë sjellë sot në portin e Durrësit rreth 2200 udhëtarë me rreth 600 automjete. Numri i udhëtarëve me tragete ka nisur të rritet mëngjesin e djeshëm, ndërsa nesër pritet që të ardhurit për festën e Pashkëve katolike dhe ortodokse të jenë më të shumtë, shtuan burimet.

Shumica e udhëtarëve të sotëm janë nisur nga Italia, ndërsa një pjesë tjetër kanë udhëtuar nga Zvicra, Austria apo Franca për të vijuar më pas me traget drejt Durrësit. Sipas burimeve, fluksi i përditshëm i udhëtarëve nuk e tejkalon shifrën 1200 udhëtarë.

Festa e Pashkëve, që simbolizon ringjalljen e Krishtit edhe këtë vit kremtohet në të njejtën ditë nga besimtarët e krishterë, ortodoksë dhe katolikë.