Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 12:46

Tiranë – Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi sot se bashkia e Durrësit ka bllokuar zhvillimin e një sërë projektesh për qytetarin.

Gjatë diskutimit të marrëveshjes së financimit dhe projektit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe KFV Frankfurt AM MAIN për financimin e projektit “Administrimi i mbetjeve të ngurta në juglindje të Shqipërisë”, Olldashi theksoi se prej dy vitesh Bashkia e Durrësit ka bllokuar projektin për mbetjet e ngurta si dhe atë të banesave për të pastrehët.

“Bllokimi i projekteve ka ardhur jo për shkak të pamundësive, por për shkak të klientelizmit”, deklaroi ministri Olldashi.

Duke reaguar ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët në diskutimet e tyre shprehën shqetësimin për menaxhimin e mbetjeve të ngurta nga qeveria, Olldashi tha se “Bashkia e Durrësit ka bllokuar jo vetëm projektet nga buxheti i shtetit, por edhe të atyre me financim nga Bashkimi Europian”.

Olldashi theksoi se dy vjet rresht janë djegur fondet akorduar Bashkisë së Durrësit për banesat e të pastrehëve me pretendimin se s’kishte troje. Bllokimi i fondeve, tha Olldashi, bëhet për shkak të politikave të mbrapshta.