Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 10:00

Durrës – Një anije e tonazhit të madh është ankoruar sot në portin detar të Durrësit. Burime zyrtare nga Autoriteti portual bënë të ditur se ajo do të ngarkohet me 46 mijë ton mineral hekuri dhe ka si destinacion Kinën. Sipas të njëjtave burime, tre elektrovinxhat e kalatës lindore do të ngarkojnë brenda dy ditësh gjysmën e porosisë, aq sa lejon edhe thellësia pranë kalatës për anijen e madhe.

Anija “Bibi M” do të marrë një ngarkesë të përgjithshme prej 46 mijë ton, por 24 mijë ton do të përpunohet në kalatën lindore ku edhe thellësia e basenit është më e madhe, shtuan burimet e Autoritetit portual.

Më pas anija e madhe tregtare do të spostohet në radën detare jashtë portit për të vijuar procesin e ngarkimit përmes dy anijeve ndihmëse, federa, të cilat ngarkohen në kalatë dhe transferojnë mineralin në anijen “Bibi M” deri në kapacitetin prej 46 mijë ton.

Burimet portale shtuan se kjo metodë e përpunimit do të përdoret në ngarkesat e mëdha “Made in Albania”, deri kur të realizohet projekti i thellimit të basenit dhe kanalit hyrës në portin më të madh të vendit.

Një muaj më parë në portin e Durrësit u ngarkua me të njëjtën mënyrë edhe anija “Vela” me kapacitet 52 mijë ton, e cila sipas kontratave përkatëse u drejtua për në Kinë.

Aktualisht porti detar i Durrësit për shkak të thellësisë së pakët mund të mirëpresë anije tregtare deri në 20-25 mijë ton.