Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 16:00

Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar një 20-vjeçar nga Shkodra, i cili së bashku me një bashkëqytetarin e tij kryenin blerje përmes internetit, duke shfrytëzuar të dhënat e kartës së kreditit të një shtetasi tjetër.

Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur për ATSH-në se, Kristjan Pjetri, 20 vjeç, banues në komunën Bardhaj, është arrestuar natën e kaluar pas një hetimi 3-mujor të specialistëve të policisë dhe prokurorisë së Durrësit. Së bashku me 29-vjeçarin O. P., që do të procedohet penalisht në gjendje të lirë, 20-vjeçari Kristjan Pjetri kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme të dhënat e kartës së kreditit të të shtetasit O. M..

Që nga muaji gusht i këtij viti të rinjtë nga Shkodra kanë kryer transaksione në internet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të ofruara nga subjekte të ndryshme tregtare. Të dy të rinjtë do të procedohen penalisht për mashtrim kompjuterik, përfunduan burimet e policisë së qarkut.