Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 11:40

Durrës- Dhjetra qytetarë durrsakë kanë marrë pjesë sot paradite në ceremoninë festive të përkujtimit të 99-vjetorit të ngritjes së Flamurit kombëtar në Durrës.

Nën tingujt e hymnit kombëtar, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, ngriti Flamurin në sheshin “Liria”, duke evokuar ditën kur gati një shekull më parë 22 qytetarë patriotë durrsakë nënshkruan telegramin e shpalljes së pavaresisë dhe ia bënë të njohur këtë akt grupit të patriotëve që marshonte drejt Vlorës, si dhe përfaqësive të huaja të pranishme në vendin tonë.

Në fjalën e tij të rastit, Dako tha sot se populli i qytetit bregdetar do t’u jetë përjetë mirënjohës bashkëqytetarëve atdhëtarë, të cilët kanë kontribuar me pushkë dhe penë për lirinë dhe pavarsinë.

“Një Shqipëri evropiane ishte aspirate e Naim Frashërit dhe e të gjithë rilindasve tanë”, vijoi Dako. Ai përkujtoi me respekt emrat e atdhëtarëve Kaçulini, Durrësi, Ramzoti, Kurti, Alushi, Kuli, Gjoni, Beja, Dakoli, Tartari, Kadiu, Berberi, Peni, Serreqi, Çelkupa, Dervishi, Duka, Rama, Veveçka, Himi, Qepaxhiu, Mallkuçi dhe Milaqi, të cilët nënshkruan telegramin e pavaresisë dhe pasi përgatitën flamurin kombëtar nën drejtimin e kryebashkiakut Hafiz Ali Podgorica, e ngritën atë në ndërtesën qeveritare.

Tre ditë më pas delegatët e Durrësit, Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Çelkupa dhe Mustafa Basha, nënshkruan dokumentin e pavarsisë kombëtare.

Historiani Sali Hidri shkruan se akti i ngritjes së flamurit kombëtar në Durrës ishte në vazhdën e veprimeve politike e diplomatike të cilat kishin nisur në Elbasan më 25 nëntor e më pas në Tiranë e Durrës më 26 nëntor; si dhe Kavajë, Peqin dhe Lushnje më 27 nëntor.

Këto ngjarje i paraprinë ditës së shpalljes së pavaresisë nga grupi i atdhetarëve të udhëhequr nga Ismail Qemali më 28 nëntor në Vlorë.