Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 11:54

Durrës – Forcat e policisë së kufirit detar, me qendër në Durrës, gjatë 72 orëve të fundit kanë ushtruar kontrolle në një vijë bregdetare prej 190 km, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve dhe veprimtarive të paligjshme që kryhen përmes detit.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, tha për ATSH-në se gjatë këtij kontrolli, që përfshin vijën bregdetare të rretheve Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë dhe Lushnje, janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 14 barka peshkimi. Ndërkaq, sipas Boshnjakut, gjatë tre ditëve të fundit kontrolle janë ushtruar në 6 motopeshkatore dhe 38 barka (sanalle) peshkimi në det, ndërsa, në bashkëpunim me policinë e rendit, janë kontrolluar edhe 27 hotele dhe restorante si dhe 18 automjete të dyshuara në bregdet.

Njëri nga automjetet me tabelën autoshkollë dhe targën DR 25 96 C, ishte braktisur në sektorin mes Currilave dhe Kallmit, 3 km larg Durrësit dhe pas verifikimeve rezultonte i vjedhur që prej disa ditësh, tha Boshnjaku, sipas të cilit kontrollet po ushtrohen në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor në bashkitë dhe komunat bregdetare.