Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 19:56

Durrës – Policia kufitare e Portit të Durrësit ka kryer sot, në Pikën e Kalimit Kufitar Port – Durrës, arrestimin e shtetasit kosovar, Idriz Kadri Murati, 53 vjeç, lindur në Podujevë të Kosovës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK, Kosovë.

Sipas burimeve nga Policia, arrestimi i tij është bërë pasi ky shtetas me vendim të autoriteteve të drejtësisë në Kosovë është dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Mbajtje, trafikim, prodhim, transport të pa autorizuar të armëve”.

Më datën 17 korrik 2008, Murati është zbuluar nga oficerët e shërbimit doganor të Kosovës në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me një sasi të konsiderueshme municioni dhe një pushkë Remington, në mjetin me të cilin udhëtonte.

Kapja e tij është bërë sot nga shërbimet e Policisë Kufitare port Durrës gjatë kryerjes së procedurave në hyrje, të këtij shtetasi.

Gjatë kontrollit në sistemin e Interpolit, ky shtetas ka rezultuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Për këtë është bërë dhe verifikimi përkatës përmes Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

Ndaj shtetasit Idriz Murati është marrë masa e arrestit, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës.