Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 12:00

Tiranë-Ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar edhe në gazetën Tema, ku ai thekson se humbjet nga nafta në Shqipëri janë më të mëdha se ato nga piramidat e vitit 1997.

Duke komentuar në blogun e gazetës Tema qëndrimet e kompania Bankers Petroleum është një kompani e listuar në bursa dhe me bilance të rregullta, Prifti thotë se është faji i shtetit që kompania nuk paguan tatim fitimi.

“Si fillim dua të sqaroj se nuk kam kritika ndaj kompanisë Bankers Petroleum, sepse vërtet është e vetmja kompani serioze që punon në Shqipëri në sektorin e naftës dhe të gazit dhe unë e kam mbështetur me sa kam mundur si ministër, duke i dhënë edhe një leje të re për zonën F që së shpejti do hapë një vendburim të ri gazi në Shqipëri. Kompania në fjalë si çdo biznes përpiqet të paguajë sa më pak taksa dhe të fitojë sa më shumë. Është faji i shtetit që ajo nuk ka paguar asnjëherë tatim- fitimi që kur ka filluar të punojë në Shqipëri,” thotë Prifti.

Ish- ministri vijon denoncimin duke thënë se vjedhjet e naftës në Shqipëri janë të tmerrshme. Prifti, që ka denoncuar një nga skandalet më të mëdhenj të naftës vergine, një çështje e përfunduar në gjykatë, thotë se kontrabanda e naftës ka mbrojtjen e policisë.

“Unë kam thënë që humbjet nga nafta dhe gazi në Shqipëri janë më të mëdha se dëmi i shkaktuar nga piramidat. Këtu kam pasur parasysh kryesisht vjedhjet e tmerrshme në Albpetrol dhe ARMO nën të gjitha qeveritë, kontrabandën e naftës dhe nënprodukteve, vjedhjet me mijëra ton direkt nga puset ditën dhe natën nën mbrojtjen e policisë. Kam gjithashtu parasysh sa në dëm të shtetit dhe të publikut janë lidhur marrëveshjet me të huajt, të gjitha, jo vetëm Bankers Petroleum. Një shef policie në Fier rreth dy vjet më parë më ka thënë se trafiku i paligjshëm me naftën e vendit është më i madh se trafiku i drogës në vend. Bëhen vjedhje skandaloze dhe askush nuk godet krimin. Këtë kam dashur të them. Më vjen keq nëse dikush mërzitet nga denoncimet,” shkruan Prifti tek Tema.