Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 12:40

Prishtinë-Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, ka thënë se kthimi i punëtorëve të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicën e veriut, do të bëhet atëherë kur të krijohen kushtet dhe të gjendet një zgjidhje politike për këtë rajon. Këtë komente ai i bëri gjatë një vizite që i bëri Komunës së Vushtrrisë.

I pyetur nga gazeta “Zëri” se kur do t’u krijohen kushte punëtorëve të Gjykatës që të kthehen në vendet e tyre të punës në veri të Mitrovicës, e të cilët që nga shpallja e pavarësisë janë vendosur në Vushtrri, komandanti i KFOR-it tha se kjo do të bëhet kur të gjendet një zgjidhje politike në veri.

“Për një rifillim të suksesshëm të punës të Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, matanë Ibrit, mund të vije vërtet vetëm atëherë kur të gjendet një zgjidhje politike, e cila do ta përfshinë edhe pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë gjenerali Drews.

Për më tepër, ai tha se drejtësia është shumë e varur nga besimi i qytetarëve dhe ambienti i sigurt, të cilat, sipas tij, tani mungojnë në veri. “Drejtësia varet nga besimi i qytetarëve dhe nga një ambient i sigurt dhe momentalisht nuk e kemi këtë gjendje atje”, ka deklaruar gjenerali Drews, pas takimit që kishte me kryetarin e Komunës, Bajram Mulaku.

Ndërkaq, Bajram Mulaku, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, tha se me gjeneralin Drews kanë biseduar për gjendjen e mirë të sigurisë në Vushtrri.

Gjatë qëndrimit në Vushtrri, gjenerali Drews ka vizituar edhe Qendrën e Kosovës për siguri publike edukim dhe zhvillim ish-Shkollën e Policisë, Stacionin e Policisë në Vushtrri si dhe drejtues të Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, të cilët që nga shpallja e Pavarësisë më 2008 ishin larguar me dhunë nga veriu i Mitrovicë dhe nga atëherë qëndrojnë në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri. B. Zhabari.