Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 08:01

Drejtoritë komunale të arsimit pritet të “urdhërohen” me akte ligjore që të punësojnë kuadro profesionale adekuate edhe në lëndët përkatëse, siç është ajo e edukatës muzikore.

Kjo, meqë prej vitesh DKA-të kanë punësuar kuadro jokompetente për mësimdhënien e lëndës së muzikës, megjithëse tani Kosova ka mjaft kuadro të shkolluara për këtë lëndë.

Profesoresha e kësaj lënde në Fakultetin e Arteve, Besa Luzha, ka thënë për “Kohën Ditore” se Ministria e Arsimit duhet që me akte ligjore ta rregullojë këtë problematikë.

Ajo ka thënë se DKA-të nuk po bëjnë dallimin as midis kandidatëve që kanë kryer Degën e Muzikës në Fakultetin e Arteve, por në drejtime të ndryshme, pasi që në vend se të punësojnë kandidatë që kanë të kryer drejtimin në Pedagogji muzikore, ato kanë pranuar kandidatë që kanë të studiuar vetëm për ndonjë instrument të caktuar.

Ajo ka thënë se midis tyre ka një dallim të madh. Instrumentistët, sipas saj, mund të punojnë vetëm në shkollat profesionale dhe në tregun e muzikantëve të pavarur, e jo si pedagogë në shkollat e përgjithshme publike, punë të cilën duhet ta bëjnë ata që diplomojnë në Pedagogji muzikore.