Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 09:00

Tiranë (PLOTESUAR 6 Shkurt,12:20) – Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino, deklaroi të hënën në Tiranë se procesi i integrimit duhet të përfshijë të gjitha forcat politike, pasi vetëm kështu çohet përpara axhenda e integrimit.

Drejtori Sannino e nisi vizitën e tij në Tiranë me takimin me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Pas takimit ministri Haxhinasto tha për mediat se me zyrtarin e lartë të KE-së ra dakord që procesi i integrimit të qëndrojë mbi çdo axhendë politike dhe partiake.

“Shpreha vlerësimin se integrimi i vendit është prioritet absolut i qeverisë dhe për këtë ka nevojë të vendosim një ritëm për plotësimin e të gjitha detyrimeve të vendosura nga  KE”, u shpreh ministri i Jashtëm shqiptar.

Ai theksoi zhvillimet pozitive në këtë drejtim sidomos sa i takon dinamikës në komisionin e reformës zgjedhore, në grupin e punës për procedurat parlamentare dhe në trajtimin e disa ligjeve që kërkojnë  maxhorancë të cilësuar në parlament.

“Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë dhe fokusi mbi këto prioritete të vazhdojë të jetë i qëndrueshëm, në mënyrë që të japë produkte konkrete, të cilat më pas të na kualifikojnë me statusin e vendit kandidat”, u shpreh ministri Haxhinasto, ndërsa shtoi se angazhimi i  aktorëve politikë duhet të jetë i pakushtëzuar dhe suprem.

Drejtori Sannino, duke ndarë të njëjtin mendim me ministrin e Jashtëm, vuri në dukje zhvillimet pozitive në Shqipëri, që nga vizita e tij e fundit (9 nëntor 2011), e cila u pasua me  finalizimin e marrëveshjes ndërmjet partive politike për fillimin e reformës zgjedhore, reformës mbi rishikimin e rregullores parlamentare dhe bashkëpunimin për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.

“Ndërkohë, ka ndodhur emërimi i Avokatit të Popullit, një proces që u shoqërua me një frymë transparence dhe konstruktive dhe që është pranuar nga të gjitha palët. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, të ruajmë ritmin e reformave, sepse kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe integrimin e vendit”, tha Drejtori për Zgjerimin.

Ai nënvizoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit pasi procesi i integrimit sipas tij duhet të përfshijë të gjitha forcat politike, sepse vetëm kështu mund të çohet para axhenda e integrimit.

*****************

Tiranë- Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino vjen sot në Tiranë për të biseduar me autoritetet shqiptare lidhur me planin e veprimit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Burime zyrtare nga zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë bënë të ditur për ATSH-në se  vizitën e tij Sannino do ta nisë fillimisht me takimin me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, për të vijuar më pas me takimin me kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama.

Vizitën e fundit në Tiranë zyrtari i lartë i KE-së e zhvilloi më 9 nëntor 2011, pak para arritjes së marrëveshjes maxhorancë-opozitë për reformat që do përshpejtonin procesin e integrimit europian në vend. (LajmeShqip.com)