Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 20:22

Prishtinë – Dy zyrtarët më të lartë të Doganave të Kosovës duhet të lënë të martën të gjitha punët në Doganë për t’ju nënshtruar një procesi gjyqësor në Gjykatën e Prishtinës.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica dhe shefi i zyrës ligjore të Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, këtë të martë duhet të ulën në bankën e të akuzuarve nën akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Ata mund të dënohen deri në 8 vjet burgim për veprime të paligjshme që kanë të bëjnë me importimin e duhanit.

Prokuroria Speciale i akuzon Naim Huruglicën dhe Lulzim Rafunën se në dhjetor tw  2008-së kishin lejuar importin e një sasie të madhe të duhanit nga kompanitë Gekos, Buqaj, Tabakos dhe Kosova Tobacco, përkundër një vendimi të Qeverisë së Kosovës që në fillim të janarit 2009 të vendosej akciza për importimin e duhanit.

Gjykimi i Huruglicës dhe Rafuës do të bëhet vetëm për një pikë të aktakuzës. Prokuroria më 8 qershor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër Huruglicës dhe Rafunës se kishin kryer veprat penale; shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi. Por këtë aktakuzë e pati hedhur poshtë Gjykata duke mos e konfirmuar.

Por pas ankesës së prokurorit Special të EULEX-it të bërë në Gjykatë, njëra pikë ishte konfirmuar duke hedhur poshtë kështu vendimin e një gjyqtari i cili nuk kishte konfirmuar asnjërën prej pikave të aktakuzës. Kjo ka bërë që këta dy zyrtarë të lartë të gjykohen për shpërdorim. (LajmeShqip.com)