Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 11:10

Tiranë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misonit amerikan në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Ian Kelli ka komentuar situatën aktuale në Shqipëri duke deklaruar se “të gjitha palët duhet t’i përmbahen kushtetutës, të zbatojnë ligjin, të respektojnë institucionet e pavarura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe plotësisht në procesin zgjedhor”.

Sipas lajmit të publikuar në faqen e Zërit të Amerikës, zyrtari i lartë amerikan ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë gjatë 20 vjetëve të fundit.

Lidhur me situatën aktuale ne Shqipëri, ambasadori Kelli ka theksuar se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë janë shprehur me një zë në mesazhet dërguar qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste, si dhe popullit shqiptar. Të gjithë duhet t’i përmbahen kushtetutës, të zbatojnë ligjin, të respektojnë institucionet e pavarura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe plotësisht në procesin zgjedhor”.

“Në valën e ngjarjeve të 21 janarit, komuniteti ndërkombëtar  ka punuar intensivisht me të dy palët për një atmosferë që t’i shërbejë dialogut normal politik”, ka nënvizuar Kelli ndërsa ka shtuae se “provokimet, përfshirë edhe retorikën e ashpër, nuk u shërbejnë interesave të Shqipërisë”.

Ndërsa lidhur me hetimet e Prokurores së Përgjithshme për ngjarjet e 21 janarit, diplomati amerikan pranë OSBE-së ka deklaruar se “ato duhet të jenë në gjithëanëshme, të thella dhe të besueshme. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste  të shprehin publikisht mbështetjen për autoritetin e Prokurores së Përgjithëshme për të kryer hetime të paanëshme”.

Duke u ndalur në zgjedhjet e 8 majit, diplomati amerikan pranë OSBE-së ka theksuar se “janë një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike”.

“Shtetet e Bashkuara, krahas ODIHR-it, do të vazhdojnë të ndjekin përgatitjet për zgjedhjet dhe janë gati të ndihmojnë për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të besueshëm”, ka përfunduar ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misionit amerikan në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Ian Kelli.