Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 16:16

Shkup – Këshilli Qendror i Demokracisë së Re (DR), në mbledhjen e mbajtur të shtunën, ka ndërtuar qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme janë të pranueshme në cilëndo datë dhe sipas të gjitha kushteve që do t’i vendosë pushteti aktual, i kryesuar nga VMRO-DPMNE dhe BDI.

Sipas kreut të partisë Imer Selmani, kriza e thellë në të cilën gjendet vendi, me fajin e politikave të gabuara qeveritare, duke filluar nga Enciklopedia, “Shkupi 2014”, Kisha në Kalanë e Shkupit, pastaj regjistrimi përjashtues për mbi 250.000 shqiptarë, proceset e bllokuara të integrimeve në NATO dhe BE, ekonomia katastrofale dhe shkelja mbi dinjitetin e qytetarit, veçanërisht atij shqiptar, “janë arsye të fuqishme që popullit t’ia japim shansin të vendosë për fatin e vet përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme pa kushte dhe pa kushtëzime. Edhe pse jemi të vetëdijshëm se partitë në pushtet, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, keqpërdorin dhe do ta keqpërdorin edhe më shumë pushtetin në periudhën e ardhshme deri në ditën e zgjedhjeve, DR-ja beson në verdiktin e popullit, i cili beson në partinë dhe në vizionin e saj që do të shpëtojë atë nga e keqja dhe zullumi që dita-ditës shtohet nga Qeveria aktuale. Besoj në kapacitetin njerëzor dhe profesional të DR-së, në vizionin dhe ofertën tonë politike me të cilën jemi të gatshëm të dalim në garën zgjedhore. Qëllimi ynë parësor është të marrim verdiktin e shumicës së popullit shqiptar dhe në qeverisjen e ardhshme të kthejmë dinjitetin e shkelur të shqiptarëve, të sigurojmë mirëqenie ekonomike dhe sociale për qytetarët dhe të integrojmë vendin në NATO dhe BE”, ka thënë lideri i DR-së, Imer Selmani.

Në mbledhje është zgjedhur edhe Shtabi Qendror Zgjedhor i partisë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me të cilin do të udhëheqë Arjanit Hoxha.