Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 13:10

Shkup – Demokracia e Re (DR), ka bërë të ditur se bartja e Qendër Zhupës nga njësia e 6 zgjedhore në njësinë e 5 zgjedhore bëhet për interesa të ngushta politike të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Tanimë është e qartë se bartja e Qendër Zhupës nga njësia zgjedhore numër 6 në njësinë numër 5 bëhet për interesa të ngushta partiake të BDI-së dhe koalicionit të saj me Partinë për Ardhmëri Evropiane të Fijat Canovskit”, ka thënë Flora Kadriu, deputete e DR-së.

Sipas saj me këtë zgjedhje të propozuar nga ana e BDI-së për ndryshimin e kufijve të njësisë zgjedhore 6 nuk arrihet qëllimi më i rëndësishëm për shqiptarët-rritja e numrit të deputetëve shqiptarë në Parlament.

“Me këtë propozim të BDI-së jo vetëm që nuk përfitojnë shqiptarët, por edhe dëmtohet interesi i tyre, sepse në këtë mënyrë pamundësohet rritja e numrit të deputetëve shqiptar”, ka akuzuar Kadriu.

DR i ka bërë thirrje BDI-së që të vendos, interesin kombëtar mbi atë partiak dhe të propozoi bartjen e një pjesë të Komunës së Zhelinës nga njësia zgjedhore numër 6 në njësinë zgjedhore numër 1, pasi që në këtë mënyrë do të vijë deri te rritja e numrit të deputetëve shqiptar.

“Në të kundërtën me keqardhje do të konsiderojmë edhe njëherë se BDI-ja ka harruar interesin e popullit shqiptar dhe në fokus të politikës së saj ka vetëm interesin dhe përfitimin partiak të cilat nuk sjellin dobi, por dëmtojnë shqiptarët”, ka shtuar Kadriu.

Madje, deputetë e demokratëve të rinj ka thënë se kësaj politike të gabuar po i vjen fundi.

“Kësaj politike të dëmshme të BDI-së mbi interesin shqiptar po i vjen fundi. Në zgjedhjet e parakohshme, verdikti i popullit shqiptar do të rikthej në krye të prioritetet me interes kombëtar dhe do të dënojë interesxhinjtë e BDI-së”, ka thënë Kadriu.