Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:56

Shkup – Ashtu sikur VMRO-DPMNE-ja dëshiron të bëjë keqpërdorime të skajshme në periudhën e ardhshme para ditës së zgjedhjeve të parakohshme me 220 milionë euro kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga ana tjetër BDI-ja si çdoherë me “troshkat” që i mbeten partnerit të saj tenton të keqpërdorë situatën e rëndë ekonomike të shqiptarëve përmes Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili ka shpallur konkurs për punësimin e 220 administratorëve të rinj.

Ka qenë ky reagimi i kryetarit të forumit të Demokracisë së Re, Visar Ramadani, ku siç thotë “është ky edhe një mashtrim klasik parazgjedhor i BDI-së, sepse është e qartë se me këtë BDI-ja tenton të manipulojë shqiptarët se ja kinse diçka punohet për të zbutur varfërinë dhe papunësinë e lartë të tyre”.

“Pyesim edhe zv/kryeministrin Ademi, a mos vallë mendon se me 220 punësime do të blejë dijen dhe dinjitetin e të rinjve dhe të rejave shqiptare? A mos vallë ka harruar ai se sot djemtë dhe vajzat shqiptare me kapacitetin e tyre akademik nuk lejojnë nëpërkëmbjen dhe keqpërdorimin e tyre për interesa të ngushta partiake të BDI-së?, ka pyetur ai. Ndaj këtyre akuzave ka reaguar BDI, nëpërmjet Zv/kryeministrit të Maqedonisë, Abdylaqim Ademi.

Ai tha se akuzat e DR-së janë pa baza. “Akuzat që u thanë, që kinse konkursi për 220 nëpunës të ri shqiptar është hapur me qëllime politike, nuk mbajnë, sepse ky konkurs është hapur në harmonizim me programin vjetor për përfaqësim të drejt dhe adekuat, program i cili është miratuar edhe në Qeveri”, thotë Ademi. Ai tha se nuk bëhet fjalë për manipulim parazgjedhor.

“Që nga gushti i vitit 2008 e deri më sot janë punësur afër 1800 nënpunës shtetëror dhe ne do të vazhdojmë të realizojmë edhe konkurse të reja, ashtu sic kemi paralajmëruar më herët që këtë vit sipas programit për përfaqësim të drejt dhe adekuat do të realizojmë 600 punësime të reja”, ka deklaruar zv/kryeministri Ademi.