Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 14:09

Prishtinë – Biografitë nga dosjet konfidenciale të NATO-s, për protagonistët e krimit të organizuar në veri të Kosovës, të publikuara në vazhdimësi nga Portali LajmeShqip.com, janë bërë referencë në zbardhjen e së vërtetës për zhvillimet e dekadës së fundit në atë pjesë të Kosovës.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka realizuar një storie, në edicionin qendror të lajmeve (22 gusht 2011), në të cilën ka cituar dokumentet e Portalit LajmeShqip.com, kurse, ditë më parë, më saktësisht në edicionin e tij të orës 18:30 të datës 17 gusht 2011, Top News ka raportuar se publikimi i këtyre dosjeve është bërë temë në mesin mediatik në Serbi, duke zgjuar edhe reagimin e partisë së Vojisllav Kushtunicës, në mbrojtje të figurave të saj në Kosovë, të cilat janë të përfshira në krim të organizuar.

Partia e Koshtunicës kishte dalë në mbrojtje të figurës së Marko Jakshiqit, i cili sipas dosjeve të NATO-s pasqyrohet si një prej krerëve të krimit në veri të Kosovës, kurse RTK ka transmetuar në tërësi dosjen e fundit, atë për kriminelin Sllobodan Simonoviq.

Ndryshe, Portali LajmeShqip.com ka publikuar deri më tani disa prej këtyre dosjeve, dhe është duke punuar në vazhdimësi të publikimit të dokumentit voluminoz dhe  konfidencial të NATO-s, në të cilin prezentohen mbi 400 protagonistë (serbë) të krimit të organizuar në veri të Kosovës, në mesin e tyre politikanë të njohur serbë, paramilitarë të forcave të Milosheviqit në luftërat në Bosnjë dhe Kosovë dhe pjesëtarë të MUP-it dhe të ushtrisë serbe.

Në vijim, prezentohet storia e mbrëmshme e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). (LajmeShqip.com)