Lajme Shqip Friday, 21 September 2012 16:10

TIRANE – Tërhiqet Prokuroria nga akuzat e ngritura ndaj ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish zv/ministrit të kësaj ministrie, Leonard Beqiraj, të akuzuar për korrupsion pas publikimit në media të një videoje të fshehtë, ku ata shfaqeshin duke ndarë një sasi te konsiderueshme parash me njëri-tjetrin.

Tërheqja e palës akuzuese vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi provën kryesore të Prokurorisë lidhur me çështjen “Prifti- Beqiraj”, duke e shpallur të papërdorshme videon e xhiruar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.

Videoja u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga eksperti amerikan që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kryente ekspertizën për origjinën e videos Meta-Prifti. Videoja ishte filmuar prej vetë Priftit, përpara se të filmonte veten dhe ish-eprorin e tij, Meta.

Në përfundim të procesit gjyqësor avokatët e dy ish-funksionarëve të lartë u prononcuan për mediat.

“Prokuroria sot në seancë, pasi kishte kërkuar kohë për t’u shprehur vendimin që mori në seancën e herës së kaluar Gjykata e Lartë, u shpreh që për shkak të papërdorshmërisë së provës kryesore, të asaj videos së famshme, tërhoqi aktet”, – tha Fatmir Braka, avokat i Dritan Priftit.

“Prokuroria e tërhoqi akuzën në seancë, kështu që nuk presim gjë tjetër”, – u shpreh Vladimir Meci, avokat i Leonard Beqirit. (LajmeShqip.com)