Lajme Shqip Sunday, 06 April 2014 14:15

Gezata greke “To Vima” ka publikuar një pjesë të dosjes hetimore të rojeve të burgut të cilët dyshohet se torturuan për vdekje të burgosurin shqiptar Ilia Kareli.

Në dëshmitë e dhëna nga disa prej gardianëve përshkruhen hollësitë tronditëse të skenave të torturave dhe emrat e të gjithë gardianëve, që ndodheshin atë ditë në burgun e Nigritës, përveç njërit.

“Dikush nga të 14-tët që gjuanin Karelin thirri: Ndaloni, do ta vrasim. Por asnjëri nuk e dëgjonte. Edhe ai që thirri, pas pak e qëlloi me shkelm. Në një moment, drejtori i burgut, që dëgjoi britmat e të burgosurit shqiptar, hyri në dhomë dhe pasi pa gjendjen e tij iu drejtua gardianëve duke u thënë ‘kush do që ta gjuajë, ta bëjë tani dhe të marrë përsipër përgjegjësinë, pasi nëse vdes do të humbasim shtëpitë tona’. Më pas, rojet eburgut kanë thirrur një të burgosur tjetër, i cili ka pastruar dhomën nga gjaku. Nuk ishin të shqetësuar, sepse kishin planifikuar ta çonin të nesërmen Karelin te mjeku, përveç njerit, i cili me shqetësim të madh ka shkuar menjëherë te salla e kamerave, duke e vëzhguar vazhdimisht Karelin në qelinë e tij, pasi kishte frikë se mos vdiste” thuhet ne një fragment të dosjes.

Me tej ne dosje thuhet se drejtorit të burgut i ka ardhur keq për 42-vjeçarin shqiptar dhe ka vendosur ta çojë në një qeli të mbikqyrur prej kamerave, për ta ruajtur nga sulmet e mundshme të rojeve. Sipas mediave greke tetë prej gardianëve të burgut të cilët dyshohet se kanë gisht në vdekjen e shqiptarit do të dëshmojnë në hetuesi të martën ndërsa 6 të tjerët në ditët në vijim.