Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 11:10

Tiranë –  Ka nisur me dorëheqjen e gjyqtarit Agron Papajani shqyrtimi i dosjes së “21 Janarit” në gjykatën e Apelit ndaj dy gardistëve të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në 21 Janar të viti 2011.

Seanca ka zgjatur vetëm pak minuta dhe është shtyrë për në datën 25 korrik, pas kërkesës së palës mbrojtëse për ndryshim të trupës gjykuese. 

Avokati mbrojtës Genci Gjokutaj, që mbron interesat e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, kërkoi që në nisje të seancës përjashtimin e gjykatësve Agron Papajani dhe Fatos Qato. 

Sipas tij, Papajani nuk mund të gjykojë këtë çështje pasi ka qënë edhe në seancën gjyqësori kur ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, iu dha masa e sigurisë, ndërsa Fatos Qato është bashkëshorti i anëtares së PS-së, Merita Qato, e cila është edhe një nga organizatoret e 21 janarit. 

Menjëherë pas kërkesës së avokatit Gjokutaj, gjykatësi Papajani dha dorëheqjen nga gjykimi i çështjes, duke çuar kështu edhe në shtyrjen e seancës gjyqësore.

Gjykatësi Agron Papajani tha se kishte vendosur personalisht të jepte dorëheqjen pasi kishte marrë pjesë në gjyqin e zhvilluar ndaj gardistit. 
Në seancën e sotme mugonin dy të akuzuarit, Agron Llupo dhe Ndrea Prendi. 

Seanca e radhës u vendos të mbahej në 25 korrik, në orën 10:00. 

AVOKATËT E ANA E KLAJDI VEIZIT: DUAM 180 MLN LEKË DËMSHPËRBLIM 

Avokatët e Ana dhe Klajdi Veizi, dy fëmijët e protestuesit të vrarë në protestën e dhunshme të 21 Janarit, kërkuan sot 180 milionë lekë dëmshpërblim. Avokatët Andi Kanani e Dorian Matlija, që mbrojnë cështjen e Ziver Veizit, pretendojnë se fëmijëve të protestuesit të vrarë duhet tu jepet një shumë të hollash si dëmshëprblim pasi tashmë nuk ka kush të kujdes për to . 

Ndërkohë, Avokati Matlija, në një prononcim për mediat pas shtyrjes së seancës ka deklaruar se mungon dosja e ankimimit të bërë nga klientët e tij. 

“Mungon dosja e ankimimit që kanë bërë familjaret e viktimave të 21 janarit. Donim të shihim pse nuk është në dosje ankimimi që ne kemi paraqitur që në mars. Do të bëjmë verifikimet për të parë se ku ka mbetur ankimimi ynë. Familjarët e viktimave të 21 janarit duhet të merrnin pjesë në seancën e sotme. Ata kanë të drejtë të pyesin ekspertët dhe dëshmitarët pasi ata janë të dëmtuarit kryesore në ngjarjet e 21 janarit”, theksoi Matlija. 

Gardisti Agim Llupo akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës 

21 JANARI, NIS SHQYRTIMI NË APEL 
Çështja e 21 Janarit mbërriti në këtë gjykatë pas apelimit që Prokuroria i bëri vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm ish-kreun e Gardës, gjeneral Ndrea Prendin dhe ish-komandantin e njësisë speciale Agim Llupo. /BallkanËeb/Lajmeshqip/

Gjykata argumentoi, në shkurt të këtij viti, se akuza e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron, për shkak se nga ana e të pandehurve nuk ka patur dashje për të vrarë demonstruesit. 

Prokuroria apeloi vendimin pak ditë pas zbardhjes së tij, duke i qëndruar akuzave se Prendi dhe Llupo janë autorët e vrasjes së tre demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet ende e pazbardhur edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit.