Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 18:32

Tiranë – Prokuroria njoftoi sot se ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dosjen me 4 të pandehurit për ngjarjen e 21 janarit 2011. Ata janë Agim Llupo, Armando Kasaj, Margarit Kume dhe Ndrea Prendi.

Prokuroria njoftoi se ndaj shtetasit Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79, gërma “ë” i Kodit Penal.

Ndaj shtetasit Agim Llupo, me detyrë shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, u ngrit akuza për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79, gërma “dh” i Kodit Penal.

Ndaj shtetasit Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

Ndaj shtetasit Armando Kasaj, me detyrë specialist i “IT” në Këshillin e Ministrave”, u ngrit akuza për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

Hetimet në ngarkim të efektivave të Gardës së Republikës, shtetasve Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati, Aleksandër Deda, Agrom Malaj, Gazmen Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli, u pushuan në datën 20.04.2012, njoftoi Prokuroria. Sipas të njëjtit burim, hetimet vazhdojnë në lidhje me përcaktimin e autorësisë për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e demonstruesve të quajtur Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. (Sh.C)