Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 13:40

Kryetari i Bordit të Agjensisë së Privatizimit Blerim Rexha dha dorëheqje të mërkurën nga kjo pozitë. Dorëheqja e tij u pasua pas dy dorëheqje të kolegeve të tij në bordin e AKP-së përkatësisht anëtares Dardane Peja dhe përfaqësueses amerikane në bord Bernadete Roberts.

Blerim Rexha ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Rexha thotë që shkas i dorëheqjes së tij  ishte tendenca që kinse ai është kundër interesave amerikane dhe evropiane në Kosovë, nuk qëndron. “ Unë e familja ime, ashtu sikur të gjithë qytetarët e Kosovës, përkulemi me shumë respekt para kontributit të SHBA-së dhe BE-së dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës.

“Në këtë situatë të krijuar jap dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e kryesuesit të Bordit të AKP-së”, thuhet në letrën e Rexhës. Ai u ka kërkuar falje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës, që në këtë kohë të shkurtër nuk ka mundur të zbatojë rekomandimet e tyre për rritje të transparencës dhe ndryshimit të modelit të privatizimit, të dala nga Rezoluta e Kuvendit e tetorit e vitit 2012. Ai ka ripërsëritur se AKP-ja duhet të ndërrojë qasjen ndaj pronës, aseteve që privatizon dhe menaxhon.