Lajme Shqip Wednesday, 29 August 2012 12:58

Prishtinë – Në një letër dërguar kryeministrit Hashim Thaçi, Azem Syla bën publike arsyet pse ka dhënë  dorëheqje nga posti i kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai dorëheqje nga ky post pa treguar arsyet, kishte dhënë më parë, Në këtë letër , dërgua medieve, Syla shkruan:

“Zoti Kryeministër, me gjithë konsideratën e lartë, për personalitetin tuaj dhe funksionin që ushtroni si Kryeministër i Republikës së Kosovës, unë, Azem Syla, deputet i Kuvendit të Kosovës, – duke vlerësuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka kryer misionin e saj të çlirimit të Kosovës, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare, duke vlerësuar se funksioni im ka pushuar së funksionuari, prej krijimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, – duke ditur se prej vitit 2000 unë nuk jam marrë me strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, – duke pasur në vëmendje se unë nuk duhet të ngarkohem me përgjegjësinë e evidentimit të veprimtarisë e të luftës së çdo luftëtari të UÇK-së, duke qenë se nuk ndihem person adekuat për ta ndjekur dinamikën e detyrës që më kërkoni ta kryej, duke qenë se kam ngarkesa që nuk më lejojnë që kësaj veprimtarie t’i kushtojë kohën dhe vëmendjen e duhur, duke i vlerësuar mundësitë e mia dhe përmasat e detyrës së ngarkuar, si dhe duke vlerësuar se kjo detyre nuk më takon ta kryej unë, për vetë funksionin që kam pasur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, jap dorëheqjen prej detyrës së Kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në cilësinë e ish – Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qoftë se ju do të vlerësoni të më thërrisni për konsulta rreth përfundimeve të punimeve të komisionit në fjalë, jam i gatshëm t’iu ofroj mendimet dhe opinionet e mia”, përfundon letra e Azem Sylës. (LajmeShqip.com)