Lajme Shqip Saturday, 08 December 2012 16:11

PRISHTINË-Dominica është shteti i radhës anëtar i OKB-së që njeh Republikën e Kosovës, nota verbale mbërrinë javën e ardhshme.

Konfirmimi ka ardhur gjatë darkës zyrtare që zv/kryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar me kryeministrin e këtij shteti, Roosevelt Skerrit, të premten në Paris.

Kryeministri Skerrit, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i vendit të tij në OKB, i konfirmoi zv/kryeministrit Pacolli se shteti i tij ka vendosur që të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa formalizimi do të bëhet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së këtij shteti, javën e ardhshme.

Zv/kryeministri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet intensiv me vendet e Caricomit që nga viti 2009, e veçanërisht me shtetin e Dominicas, ndërkaq me kryeministrin Skerrit ka pasur disa takime.

Zv/kryeministri Pacolli është takuar me kryeministrin Skerrit në Nju Jork, gjatë organizmit të takimit “South South”, ku ishte i ftuar nderi në mesin e rreth 100 burrështetasve botërorë, në mesin e të cilëve edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mon.(LajmeShqip.com)